Është prodhim i Planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Si edhe shumë fshatra me shumicë shqiptare gjithandej Kosovës që nuk janë pranuar në territoret komunale me shumicë serbe, edhe Shashkoci, në bisedimet Kosovë – Serbi në Vjenë, nuk është pranuar në Komunën e Graçanicës.
Tashti ai është si një ishull i Prishtinës. Është emblemë arkeologjike e pazbuluar. Duhet të trupohet Graçanica për të mbërritur aty. Edhe pse s’është i lidhur me Prishtinën, falë kikës së fshatit, ku ende mbijetojnë dukshëm gjurmët e Kalasë së Veletinit, kryeqyteti shikohet si në shuplakë të dorës. Matjet e tregojnë vendin e kalasë të jetë 969 metra lartësi mbidetare, shkruan “Koha Ditore”.
Nga perspektiva e kalasë, brigjet poshtë saj duken goxha me terren të rrafshët. Humbet edhe liqeni akumulues i Badocit, ndonëse të qenët udhëtar në rrugën magjistrale Gjilan – Prishtinë të krijon përshtypjen se ka brigje të larta. Shpatet e vogla të Graçanicës, Hajvalisë, Veternikut e Prishtinës, hetohen fare pak.
Rrafshi tjetër i Kosovës, si një pjesë e Graçanicës, krejt Fushë-Kosova, Obiliqi, një pjesë e Drenasit dhe fshatra të tjera duken si në ‘tepsi’. Kalaja gjendet krye fshatit, kurse shkuarja deri në të përbën një mozaik gjurmësh historike: Vendnxjerrjet e xehes, themeli i “Kishës katolike”, Varret e moçme me mbishkrime arabe, mbetjet e punimeve të dheut e kështu me radhë. Të gjitha këto janë sinonim i interesimeve të ndryshme dhe gjurmë të pushtuesve.
Fshati ka edhe diçka të veçantë – majën e “Vullkanit të heshtun”, 1040 metra mbi detin.
Jorastësisht një kompani aty nxjerr gurë vullkanikë.
Kalaja e Veletinit, simetrike me Kalanë e Novobërdës
Kalaja e Veletinit në Shashkoc të Prishtinës i ngjason Kalasë së Novobërdës. Sikur të qëndronin përballë njëra-tjetrës, për shkak të konfiguracionit analog të terrenit, sigurisht që do të krijonin simetri. I përkasin së njëjtës periudhë historike, shekujve të 13-të e të 14-të. Rrëfimet për to pothuajse janë të njëjta.
Në shumë aspekte, rrëfimet i shkojnë cilësdo. Janë ndërtuar fillimisht si fortifikata të ilirëve, si paraardhës të drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Më pas janë rrënuar e rindërtuar nga pushtuesit. Në të dy kalatë është prodhuar ar e argjend. Në to kanë punuar dhe prodhuar mjeshtrit më të mëdhenj të xeheve në atë kohë – sasët. /Koha Ditore/