Site icon Telegrafi

Sharec: Maqedonia është shembull pozitiv për arritjen e zgjidhjeve të përbashkëta nëpërmjet dialogut

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Republikën e Sllovenisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe delegacioni u takuan me Kryetarin e Qeverisë të Republikës së Sllovenisë, Marjan Sharec.

Në takim, konstatimi i përbashkët ishte se zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale pa çështje të hapura është i bazuar mbi frymën e miqësisë, partneritetit të fuqishëm strategjik dhe bashkëpunimit dhe mbështetjes konstruktive shumëvjeçare në planin bilateral, rajonal dhe multilateral, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në fillim të takimit, Kryeministri Sharec e përshëndeti guximin e Republikës së Maqedonisë për hapat e ndërmarra kah integrimi euroatlantik. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë është shembull pozitiv për arritjen e zgjidhjeve të përbashkëta nëpërmjet dialogut prej të cilit do të kenë përfitim të gjitha vendet në rajon. Duke e sugjeruar rrugën e gjatë që na pret si shtet në drejtim të anëtarësimit të plotfuqishëm në familjen evropiane, ai e ofroi ndihmën miqësore të Republikës së Sllovenisë për çka janë të gatshëm ta ndajnë përvojën dhe diturinë e vet gjatë procesit integrues.

Kryetari Xhaferi theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria, të vetëdijshëm për sfidat e sigurisë në rajon dhe qëllimet e vendosura strategjike shumëvjeçare të qytetarëve të saj, u përcaktua për tejkalimin e çështjeve të hapura me fqinjët. Ai potencoi se proceset nuk janë aspak të lehta, por për kënaqësinë tonë, rezultati final është gjerësisht i përshëndetur nga bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë tanë. Ai e përshëndeti vizionin e Republikës së Sllovenisë për një Ballkan të integruar dhe stabil në NATO dhe BE , si edhe angazhimin për një rajon prosperues pa konflikte dhe çështje të hapura. Kryetari Xhaferi, e nënvizoi suksesin e takimeve të Procesit Brdo – Brioni, si edhe për atë se vendet pjesëmarrëse para së gjithash duhet të bashkëpunojnë, të bashkohen në mënyrë rajonale dhe të ndërtojnë besim të ndërsjellë si hap kah integrimi i tërësishëm evropian.

Kryeministri Sharec shprehu kënaqësi që Republika e Sllovenisë do të jetë vendi i dytë pas Greqisë i cili do e ratifikojë Protokollin për aderim në NATO dhe shprehu bindjen se me këtë hap vendi ynë do të fillojë një kapitull të ri të ndërtimit të vlerave evropiane të cilat garantojnë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, si edhe siguri për investimet e huaja, a me këtë edhe përforcim të ekonomisë në vendin tonë.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë në nivel të lartë dhe se ka hapësirë të intensifikohet dhe të thellohet bashkëpunimi ekonomik./Telegrafi/

Exit mobile version