Liverpooli ka arritur fitore të thellë në udhëtim te Lincoln me rezultat 2-7.
Kampioni në fuqi i Anglisë e ka dominuar skuadrën nga kategoria e tretë nga fillimi e deri në fundin e saj.
Jurgen Klopp kishte vendosur t’i inkuadronte nga fillimi disa nga lojtarët e rinj dhe disa të tjerë që nuk kanë hapësira të mëdha në ndeshjet e Ligës Premier.
Kësisoj Xherdan Shaqiri u rikthye nga lëndimi dhe e nisi ndeshjen nga minuta e parë për të shënuar një gol të jashtëzakonshëm.
Ylli kosovar realizoi në minutën e nëntë nga gjuajtja e lirë për ta hapur edhe serinë e golave në këtë takim.
Takumi Minamino shënoi dy gola, Curtis Jones dy të tjerë dhe Grujic e Origi nga një për The Reds.
Ndërkohë dy golat e vetëm për vendasit u realizuan nga Edun dhe Monstma në pjesën e dytë.
Ishte një ndeshje e lehtë për The Reds që kaluan tutje, ndërsa trajneri Klopp ka marrë një përgjigje të mirë nga lojtarët që kanë më pak hapësira në Ligën Premier.
Tani në 1/8 e finales në EFL Cup, Liverpooli do të përballet me gjigantin tjetër anglez Arsenal. /Telegrafi/
https://youtu.be/Y9lo3dLipOA?t=9