Site icon Telegrafi

Shaqiri largohet prej Kosovës pa përgjigjen që po e presin të gjithë

Xherdan Shaqiri i nisi pushimet e verës më herët sesa kishte dëshiruar. Synonte të rrinte më gjatë në Evropianin “Franca 2016” me Zvicrën, por u ndal në 18 e finales.

Pas eliminimit qëndroi për pak ditë në plazhet e Spanjës, më pas në ato të Shqipërisë dhe së fundi u kthye në Kosovë, shkruan Koha Ditore.

Dhe të shtunën pasdite nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” u nis për Zvicër.

“Para se të udhëtojë drejt Anglisë, kam disa punë në Zvicër me reklamat”, tha Shaqiri për gazetën Koha Ditore. Ai shtoi se nga Kosova po largohet i kënaqur. “Kalova disa ditë edhe në Shqipëri. Kalova shumë mirë. Në Kosovë më shumë kam qëndruar me familjarët e mi të cilët sa herë që me jepet mundësia i vizitoj”, ka theksuar mesfushori ofensiv, që në vitet e fundit ka vizituar shpesh Kosovën.

Ai thotë se Kosova është pjesë e pandashme e jetës së tij.

“Në Kosovë kam lindur dhe sigurisht se më tërheq vendi. Në Kosovë e kam edhe një pjesë të madhe të familjes”.

Por, prindërit, vëllezërit e motrën i ka në Zvicër, vend të cilin e përfaqësoi edhe në kampionatin evropian “Franca 2016” që përfundoi të dielën.

Exit mobile version