Telegrafi

Shaqiri e këshillon gazetën e madhe zvicerane ta vendosë foton e Telegrafit në ballinë: Këtu e keni foton për faqen e parë

Xherdan Shaqiri ka shtuar edhe një trofe në karrierën e tij të bujshme.

Ylli nga Gjilani ka fituar titullin e Anglisë me Liverpoolin, një trofe që i mungonte edhe Xherdanit, por edhe Liverpoolit prej 30 vitesh.

Njëra nga fotot që ka bërë bujë më të madhe në rrjetet sociale ka qenë ajo e redaksisë së sportit në Telegrafi.com, foto ku shihet Shaqiri me 17 trofetë e fituar gjatë karrierës.

Kjo foto është shpërndarë me qindra herë në rrjetet sociale, ndërsa njëri nga ta ishte edhe Shaqiri që nuk hezitoi ta ndajë me ndjekësit e tij.

28-vjeçari tani sapo e ka postuar edhe në Twitter të njëjtën fotografi, teksa i ka dhënë një këshillë gazetës më të madhe zvicerane Blick dhe shefin e saj Andreas Boeni.

“I dashur Blick dhe Andreas Boeni. Ndërsa jeni të mërzitur në zyrat e juaja, këtu keni një foto për faqen e parë”, ishte postimi i Shaqirit.

Ky postim i Shaqirit ka ardhur pasi Blick shpesh herë ka bërë shkrime jo të mira për gjilanasin, përkundër sukseseve të mëdha që ka arritur Xherdani.

Gjithsesi presim nga Blick që ta dëgjojë këshillën e Shaqirit dhe ta falënderojë edhe Telegrafin për këtë foto ikonike të yllit tonë nga Kosova. /Telegrafi/