Site icon Telegrafi

Shaqiri flet për rënien e Liverpoolit: Jemi njerëz normalë dhe jo robotë

Liverpooli këtë edicion nuk po ka formë të qëndrueshme në kampionat, pasi ka humbur disa ndeshje nga skuadrat e vogla angleze.

Kampioni në fuqi i Anglisë ka mbetur shtatë pikë mbrapa liderit aktual Manchester City, me të cilën skuadër përballet sot me fillim nga ora 17:30.

Lëndimet e shumta që kanë pasur futbollistët kryesorë të skuadrës kanë bërë që The Reds të dështojnë në disa takime ku shiheshin si favoritë të mëdhenj.

E për krizën e skuadrës së tij ka folur edhe ylli nga Kosova, Xherdan Shaqiri.

Sulmuesi gjilanas ka deklaruar për ‘Daily Mail’ se është normale që skuadra ka krizë, pasi futbollistët janë njerëz normalë dhe jo robotë.

“Ne jemi si njerëz normalë që kemi ulje dhe ngritje. Kjo krizë është normale, pasi nuk jemi robotë që mund të jemi gjithmonë me 200 për qind”.

“Skuadrat në Ligën Premier janë të mira, madje edhe ekipet e vogla janë të vështira për t’u mposhtur. Ekipet më të mira nuk janë gjithmonë të mira. Nuk jemi vetëm ne”, deklaroi Shaqiri.

“Ndoshta kemi pasur disa ndeshje ku nuk ishim aq të mirë. Ka pasur shumë skuadra kryesore këtë sezon të cilët nuk kanë qenë në formën më të mirë, por ne jemi akoma në tre ose katër vendet e para, kështu që nuk mund të ankohemi. Unë e shoh ndryshe nga njerëzit jashtë”, vazhdoi tutje gjilanasi.

Shaqiri insiston se Liverpooli mbetet njëra nga skuadrat më të mira në Botë.

“Ne jemi një nga skuadrat më të mira në Angli dhe në Botë. Ne jemi njerëz normalë dhe jo robotë, kështu që kemi momente të dobëta ndonjëherë kur nuk jemi aq të mirë dhe ekipet e tjera po bëjnë më mirë gjatë gjithë kohës dhe kjo është gjithashtu normale’’, përfundoi rrëfimin e tij anësori nga Gjilani që luan për Përfaqësuesen e Zvicrës. /Telegrafi/

Exit mobile version