Xherdan Shaqiri ka folur për shkarkimin e trajnerit Jose Mourinho nga Manchester Unitedi, ku thotë se i kanë ardhur disa mesazhe që e fajësojnë atë për largimin e portugezit.
Liverpoolit mposhti Unitedin me rezultat 3-1 në ndeshjen derbi të javës së fundit në Ligën Premier, ku protagonist ishte shqiptar Shaqiri, i cili hyri nga banka rezervë për t’i shënuar dy gola.
Për rolin që ai luajti në këtë ndeshje, Shaqiri thotë se u urua shumë për paraqitjen, por pati edhe mesazhe që e fajësuan atë për shkarkimin e Mourinhos nga Old Trafford.
“Kam pasur shumë mesazhe nga miqtë e mi kur ka ndodhur shkarkimi i tij”, ka thënë fillimisht Shaqiri për The Guardian.
“Ka pasur shumë mesazhe të mira për lojën ndaj Unitedit në fillim dhe më pas, kur doli lajmi për Mourinhon, kisha mesazhe duke thënë: ‘Ky është faji yt!’ Por ky është futboll ndonjëherë”.
“Unë nuk mendoj se ishte vetëm për shkak se ne fituam atë lojë që Unitedi dëshironte të ndryshonte menaxherin e tyre”.
“Ka pasur arsye të tjera, por kjo do të thotë se ndeshja shkon në histori”.
“Gjithmonë do të jetë edhe në historinë time”, përfundoi ylli shqiptar.
Ndryshe, Shaqiri në këtë sezon me Liverpoolin ka shënuar pesë gola dhe ka bërë tri asistime në 13 ndeshje në Ligën Premier, ku shumica si rezervistë. /Telegrafi/