Peja dhe Sigal Prishtina për herë të parë do të përfaqësojnë vendin tonë në Ligën Ballkanike. Pejanët në ndeshjen e parë të kësaj ligë do të ndeshen me KK Kozuv nga Gjevgjelia e Maqedonisë.
Ekspedita pejanë sot është nisur drejt Maqedonisë, ndërsa sfidën kundër ekipit maqedonas do ta luajë nesër prej orës 19:00.
Plejmejkeri i Pejës, Samir Shaptahoviq, në prag të ballafaqimit me KK Kozuv, është shprehur optimist se skuadra e tij do ta fitojë këtë ndeshje. Organizatori më i mirë në vendin tonë, është i vetëdijshëm se skuadra e tij nuk do ta ketë lehtë në duel me ekipin maqedonas, por ai mendon se Peja ka potencial të mposhtë ekipin nga Gjevgjelia.
“Sigurisht se është ndeshja e parë zyrtar që luajmë dhe nuk do të jetë e lehtë. Ne jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje, por edhe ndeshjet e ardhshme në Ligën Ballkanike. Ne synojmë që garat në Ligën Ballkanike t’i nisim me fitore”, ka thënë të hënën për Kosovapress, Shaptahoviq.
“E njohim deri diku skuadrën kundërshtare, por ne kemi ekip të mirë dhe jam i bindur se do ta fitojmë këtë ndeshje, e që do të ishte një strat i mirë për ne në garat e Ligës Ballkanike”, tha ai.
Ndërkaq, Sigal Prishtina, një tjetër skuadër që do ta prezantojë Kosovën në BIBL, garat në këtë ligë do t’i nis të mërkurën kundër KK Kumanova në orën 17:30. /Kosovapress/Telegrafi/