Telegrafi

Shantazhoi një vajzë për t’i marrë para, policia arreston një 22-vjeçar në Tiranë

Foto: Ilustrim

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një 22-vjeçar në Tiranë pasi i njëjti kishte shantazhuar një 21-vjeçare.

Policia njofton se 22-vjeçari është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në momentin që do të merrte një shumë parash, e cila u sekuestrua si provë materiale, transmeton Telegrafi.

“Sapo ka marrë kallëzim se një shtetase shantazhohej për të dhënë para, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër ka organizuar punën për të arrestuar autorin”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Farkë, është kapur në flagrancë, në një vendparkim automjetesh në Tiranë, në momentin që do të merrte një shumë parash nga 21-vjeçarja, shtetasi:

G. D., 22 vjeç, banues në Elbasan.

Shuma e parave u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, si provë materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./Telegrafi/