Telegrafi

Shala: Toka po dëmtohet nga njeriu i etshëm për pasuri

Profesori i biologjisë, Myftar Shala ka reaguar me rastin e shënimit të Ditës së Tokës, duke thënë se planeti ynë me shpejtësi marramendëse po degradon duke u ngritur rrokaqiej të betonizuar.

Ai thotë se rreziqet të cilat i kanosën tokës, ekskluzivisht dhe pandërprerë i vijnë nga dora e njeriut, pos zhvillimeve tjera në univerz e të cilat reflektohen në mënyra të ndryshme.

“Në emër të zhvillimeve infrastrukturore pa kriter dhe pa planifikim ngriten rrokaqiej të betonizuar, kur ndotja e tokës, ujit dhe ajrit shkon në drejtim të pakthyeshëm, kur indiferenca njerëzore për këto pasuri bëhet pjesë e këtyre zhvillimeve, mendoj se kjo ditë e shënuar nuk është e mjaftueshme që shikimi dhe sensibilizimi i njeriut të zgjohet dhe të aktualizohet vetëm në këtë ditë më 22 prill. Duhet pranuar se njeriu i etshëm për pasuri dhe i pangopur nga fitimet pasurore marramendëse në këtë shoqëri të konsumit nuk ka të ndalur dhe duke mos qenë i vetëdijshëm se këto pasuri që ka toka dhe pas të cilave vrapon shoqëria e konsumit dikur do të shterojnë. Në këtë drejtim jo vetëm racionalizimi i shfrytëzimit të këtyre pasurive natyrore duhet të jetë hap i tij, por edhe gjithnjë duhet kërkuar edhe format tjera alternative të krijimit të burimeve të reja për ekzistencën dhe jetën e tij, gjithnjë duke patur parasysh brezat e ardhshëm.

Ai ka thënë se mjedisi ynë gjithë shqiptarë, deri para pak kohësh gati krejtësisht i virgjër, iu nënshtrua sidomos viteve të fundit, gjithë atyre ndryshimeve të realizuara nga dora e njeriut në emër të zhvillimeve dhe pasurimit marramendësh të shpejtë dhe pa kriter, në mënyrë krejtësisht të egër dhe barbare duke shfrytëzuar pasuritë natyrore si malet e mbuluara me vegjetacion të shumtë dhe të larmishëm të pyjeve, duke i zhveshur për t`i përdorur si dru zjarri, qymyri ose në industrinë e drurit, ose duke i vënë zjarrin pyjeve për përfitimin e kullosave malore.

“Dora e njeriut vërehet e dhe në shfrytëzimi e zonave fushore dhe tokave bujqësore për ndërtime të ulëta e të larta ,duke bërë betonizimin e pariparueshëm të këtyre tokave, po ashtu hudhja pa kriter dhe mbulimi i këtyre tokave me material inerte për krijimin e bizneseve të tyre. Ndryshimi i rrjedhës së shumë lumenjve, si dhe përdorimi pa asnjë kriter i materialeve si rëra, si pasojë e së cilës ,jo vetëm humbet uji, por bëhen shkas edhe i rrëmbimit të shumë tokave pjellore nga lumenjtë, duke e zvogëluar kështu sipërfaqen e tokës për t`a përcjellë në rrugë të pa kthim në det, duke e ndjerë kështu dorën dëmtuese të njeriut”, ka thënë ai. /Telegrafi/