Site icon Telegrafi

Shala: Shteti i Kosovës, asnjë lëvizje për të arrestuarit e rastit “Kumanova”

Datat 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar do të mbeten gjatë në memorien e familjarëve të të ekzekutuarve dhe të arrestuarve në rastin “Kumanova”.

U bë një vit dhe institucionet e Kosovës ende asgjë nuk kanë ndërmarr për mbrojtjen dhe dhënien e ndihmës juridike.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), Behxhet Shala në një prononcim për Telegrafin, tha se asgjë nuk është bërë nga ana e shtetit të Kosovës për t’i mbrojtur qytetarët e arrestuar në rastin e Kumanovës në Maqedoni.

Shala tha se KMLDNJ vazhdimisht ka reaguar që nga moment i arrestimit të tyre, duke shfaqur deklarata dhe dyshime të bazuara.

Ai potencoi edhe problemin e disa personave të ekzekutuar në shtetin maqedonas në rastin e Kumanovës, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk dihen shkaqet e ekzekutimit të tyre.

“Disa persona janë ekzekutuar në Maqedoni, edhe pse kemi kërkuar raportin e Obduksionit nga dy palët maqedonase dhe kosovare por nuk kanë dhënë raport të plotë. Nga pala maqedonase kemi marr raport gjysmak dhe aspak bindës, ndërsa pala kosovare nuk e ka bërë raportin publik, arsyen nuk e dimë”.

E sa i përket qytetarëve të Republikës së Kosovës, të arrestuar në rastin e Kumanovës ai tha se mbi ta është duke u ushtruar dhunë fizike.

Shala po ashtu njoftoi se edhe pse kanë kërkuar që t’i shohin të arrestuarit në Maqedoni, pala maqedonase nuk ia ka lejuar një gjë të tillë.

“Nuk na kanë lejuar t’iu bëjmë vizitë, në fund të fundit Maqedonia është shtet tjetër. Kemi informata të sigurta që mbi ta është ushtruar dhunë gjatë gjithë kohës, edhe tash sa janë në arrest. Kemi kërkuar nga institucionet  e Kosovës që në kuadër të kompetencave dhe mundësive që i kanë  të ju dalin në mbrojtje të arrestuarve mirëpo s’ka asgjë”, tha tutje Shala.

Mirëpo, sipas tij, ata vazhdimisht kanë bërë kërkesa në institucionet e Kosovës si në Presidencë, Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës, mirëpo nuk kanë arrit të marrin përgjigje konkrete.

“Ne nuk mund të ndikojmë tek pala maqedonase, por duhet shteti me shtet të reagojë… Ata janë të arrestuar dhe po mbahen në kushte mjaft të rënda dhe në dhunë fizike”, tha ai.

Sipas tij, askush nuk ka të drejtë të ndërhyje në një proces gjyqësor, mirëpo sa i përket trajtimit fizik dhe gjykimit, shteti i Kosovës duhet të angazhohet më tepër për t’ju ofruar ndihmë juridike.

Shala tregoi se edhe vet ambasadori ka bërë përpjekje, por pa rezultat.

Ai theksoi se edhe avokati i popullit të Maqedonisë, Ixhet Memeti ka dal me një reagim ku dëshmohet pjesa për dhunë.

Ndryshe, në rastin e Kumanovës është i përshirë një grup nga Kosova, i cili gjatë 9 dhe 10 majit të vitit 2015, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u përleshën me forcat e policisë së Maqedonisë.

Përleshjet përfunduan me vrasjen e 8 policëve dhe 10 pjesëtarëve të grupit të armatosur.

Me këtë rast janë arrestuar 29 persona të përfshirë në konflikt, të cilët ende mbahen në burgun e Manastirit, në Maqedoni. /Telegrafi/

Exit mobile version