Telegrafi

Shala punëson kushërinjtë në PTK

Gazeta Zëri shkruan në numrin e sotëm se në valën e fundit të punësimeve në PTK, në mesin e 30 të punësuarve në këtë kompani, janë edhe dy kushërinjtë e ministrit Shala me inicialet H. Shala dhe A. Shala (emrat e tyre i posedon gazeta) nga fshati Akrashticë e Vushtrrisë.

Ministri Shala ka qenë i ngarkuar më 13 maj 2010 nga Qeveria e Kosovës që ta zbatojë vendimin për ngrirjen e punësimeve në PTK deri në përfundimin e procesit të privatizimit të kompanisë, ndërsa rreth dy muaj më vonë e ka shkelur këtë vendim duke mos e refuzuar kërkesën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, që t’i punësojë 30 punëtorë të rinj në këtë kompani.

Po ashtu, sipas gazetës, për punësimin e këtyre punëtorëve nuk është shpallur konkurs publik, mirëpo PTK-së i është dërguar një listë nga nivelet e larta qeveritare me emrat e kandidatëve që duhet të pranohen.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka dërguar demant lidhur me punësimet e fundit në PTK, duke u arsyetuar se arsyeja e plotësimit të këtyre pozitave është bazuar në nevojën e ristrukturimit të korporatës dhe të lirimit të pozitave për shkak të pensionimit të punëtorëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Muharrem Shahini, nuk e ka pohuar as mohuar punësimin e dy kushërinjve të Shalës në valën e fundit të punësimeve në PTK, mirëpo ka thënë se për punësimet në kompaninë publike nuk vendos ministria. Ai ka thënë se për punësimet në PTK vendos PTK-ja.

Ndërkohë për punësimet e fundit në PTK kanë reaguar edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kreu i organizatës “Çohu”, Avni Zogiani, ka thënë se prej vitit 2008 e deri më tani në PTK në PTK janë punësuar rreth 2000 punëtorë. Sipas tij, një prej argumenteve për privatizimin e PTK-së ka qenë se kjo kompani ka mbipunësim, prandaj duhet të privatizohet. /Telegrafi/