Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala ka pritur lojtarët dhe drejtuesit e Sigal Prishtinës të udhëhequr nga kryetari i klubit, Blerand Stavileci dhe përfaqësuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Ministri Shala e përgëzoi skuadrën e Sigal Prishtinës, trajnerët dhe gjithë stafin për suksesin historik; titullin e kampionit të Ligës Ballkanike në basketboll për të dytën herë.
Ministri Shala u shpreh se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme për basketbollin e Kosovës dhe dëshmon se sporti kosovar ka cilësitë dallueshme, ndaj jemi të përkushtuar për ta përkrahur.
Gjithashtu Shala i informoi të pranishmit lidhur me punët konkrete që po bën MKRS-ja për të përmirësuar kushtet për sportin e Kosovës, në mënyrë që të hapen shtigje për një të ardhme më të ndritshme dhe më cilësore për sportin kosovar.