Telegrafi

Shala: Pësuam gol qesharak, në futboll kur nuk shënon, pëson

Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, ka shprehur indinjatën e tij për rastet e humbura nga lojtarët e tij duke shtuar se pësuan një gol qesharak.

Fushë Kosova u mposht të shtunën në Klinë nga Dukagjini me rezultat minimal 1:0.

“Është e vërtetë që për shkak të gjendjes fizike në pjesën e dytë bëmë ndryshime. U fokusova në tërheqjen e ekipit prapa pas rasteve të humbura. Patëm 2-3 raste shumë të mira. Vendosa që të tërhiqemi në mbrojtje e të presim ndonjë gabim eventual. Goli ra në mënyrë amatoreske. Na ka ndodhur edhe më herët. Ishte gol qesharak. 4-5 gola po i marrim në këtë mënyrë”, u prononcua fillimisht Shala.

Lexo po ashtu Dukagjini shijon fitoren e parë, mposht minimalisht Fushë Kosovën

Mungesa e përqendrimit është një faktor tjetër i lojës që Shala tha se në momente të caktuara po i mungon ekipit të tij.

“Po na humb edhe përqendrimi në momentet e duhura. Sot ishim me dy mungesa për shkak të lëndimeve. Minimum, 2:0 është dashur të avanconim në pjesën e parë. Futbolli e ka këtë, kur nuk shënon, pëson”, u shpreh Shala.

Pas 5 xhirove të zhvilluara në Albi Mall Superligën e Kosovës, Fushë Kosova pozicionohet në vendin e fundit me vetëm një pikë të fituar./Telegrafi/