Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala ka komentuar iniciativën e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Nuk mund të shfuqizohet asgjë. LDK e ka menduar si arbitrare, shkon përtej vullnetit dhe fuqisë politike jo vetëm të LDK-së por edhe të Kosovës, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special e njohur ndryshe si Gjykata Speciale tani është kategori kushtetuese. Atë natë tentohej të shfuqizohej ligji, që maksimalisht do të mund ta bënte jo funksionale për një kohë atë Gjykatë”, tha Shala në Zona B të Klan Kosovës.
Sipas Shalës, shfuqizimi i kësaj Gjykate do të sillte disa alternativa tjera për Kosovën.
“Do të hapte ose rikthente alternativat e vjetra që Kosova ka patuar në tavolinë, para se të vendosej kështu. Besoj që do të mund të kthehej alternativa e vjetër që puna të vazhdonte me një vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do ta kthehnte Kosovën para datës së Pavarësisë”.
“Dhomat e Specializuara nuk është një gjykatë ndërkombëtarëe, edhe pse shkon përtej vullnetit tonë, është një institucion kushtetues i Kosovës. Ajo gjykatë njeh rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës”, tha ai.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së ka thënë se me shfuqizimin e Gjyatës Speciale, do të mund të fuqizohej Rezoluta 1244.
“Rezoluta 1244 do të mund të fuqizohej, ajo rezolutë fut në lojë vende të tjera përtej partnerëve tanë, që kemi si mike dhe sponsorë të pavarësisë”.
“Kosova ndërmjet kohës kur kemi biseduar së pari për këtë mekanizëm, ose të tjerët, kemi patur situata shumë specifike dhe që përfshin edhe aktorë të tjerë që nuk jemi ne”.
“Kjo gjykatë është detyrim ndërkombëtar, dhe ky është kushti ynë, partnerët tonë përpos si detyrim ndërkombëtar e shohin si mundësi ose kushtin e Kosovës për një shtet të së drejtës”, tha Shala. /Klan Kosova/