Site icon Telegrafi

Shala për rrënimin e murit: Kryeministri Mustafa kishte rolin kryesor

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala ka thënë se në pjesën ku është rrënuar muri në veri të Mitrovicës, nuk do të ketë më mur tjetër.

“Ne mund të ia vëmë emrin si të duash, por ato janë vazo lulesh të projektuara në projekt. Nuk ka muri dhe nuk do të ketë mur. Pikërisht aty do të bëhet shteg biçiklistësh. Do të ketë vazo të lidhura dhe do të jenë të betonta. As element shkencor nuk të jep të thuash se ai është muri”, tha ministri Shala.

“Në të gjitha sheshet tona kemi vazo të betonit, të drunjta. Ai është rrethrrotullim dhe aty nuk mund të ketë mundësi të ketë rrugë me asnjë kriter. Duhet të hiqen këto prejudikime që janë thjeshtë tendenca të caktuara. Ky është plan i të dy qyteteve me një legalitet, pra për herë të parë me leje ndërtimi”, tha Shala në Info Magazine të Klan Kosovës, duke potencuar se negociatat për rrënimin e murit nuk kanë qenë të lehta.

“Çelësi kryesor është zbatimi i ligjit. Ata janë pajtuar se ai objekt ka qenë pa leje dhe pa plan. Me dialog kemi arritur që ta zgjidhim këtë problem. Secili element, secili faktor, secili argument është analizuar mirë dhe më pas janë gjetur përparësitë. Të gjitha palët kanë pasur synim zgjidhjen e problemit në bazë të ligjeve të Kosovës”, tha ai.

Ministri Shala ka thënë se rolin kryesor për rrënimin e murit e ka pasur kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

“Kryeminsitri Mustafa ka pasur rolin vendimtar dhe realisht të gjitha bisedimet janë zhvilluar në zyrën e tij, në koordinim me kryetarin e kuvendit të Kosovës dhe Presidentin e vendit. Zonja Tahiri nuk ka qenë pjesë e negociatave, pasi kjo nuk ka qenë pjesë e dialogut. Kemi pasur gjithçka të përgatitur për planin e rrënimit”, tha ministri Shala. /Klan Kosova/

Exit mobile version