Telegrafi

Shala për hidrocentralin në Lumbardh: Ende nuk ka leje, kompania i ka plotësuar vetëm kriteret teknike

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se dikasteri që ai drejton ka kompetenca vetëm t’i shqyrtojë teknikisht aplikimet e kompanive të cilat kërkojnë investime strategjike në Kosovë.

Ai potencoi se deri tani kompania e cila ka parashtruar kërkesë për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh e ka kryer vetëm fazën e aplikimit, ndërsa për procedurat tjera Ministria e Tregtisë nuk është përgjegjëse

”Kompania në fjalë i ka plotësuar vetëm kriteret teknike. Kjo nuk nënkupton që kompania ka tashmë leje apo i ka përfunduar procedurat tjera për ndërtimin e hidrocentralit. Ne e kemi shqyrtuar vetëm aplikimin që është përgjegjësia e vetme e Ministrisë. Institucionet tjera kanë përgjegjësi për ta pajisur apo jo me leje atë kompani për të ndërtuar hidrocentral”, ka thënë Shala në Klan Kosova.

Lexo po ashtu Haradinaj kërkon ndërprerjen e procedurave për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh

Ai ka bërë të ditur se për këtë temë, ka pasur takim edhe me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhahxeri.

“Kam pasur takim edhe me Kryetarin e Pejës, pranova shqetësimet e tij dhe të gjitha këto shqetësime do t’i paraqes me mbledhjen e ardhshme të komunitetit ndërministror. Nuk jam i interesuar që ta bëj ndonjë veprim i cili është në kundërshtim me planet e komunës së Pejës, apo me qytetarët e asaj ane. Siç e obligon ligji, ne vetëm e shqyrtojmë aplikacionin e një investitori strategjik dhe këtu përfundon kompetenca në lidhje me këtë çështje”, deklaroi ministri Shala.

Ndryshe për të kundërshtuar ndërtimin e Hidrocentralit në Lumbardh, sot në qendër të Pejës është organizuar edhe një protestë. /Telegrafi/