Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se dikasteri që ai drejton ka kompetenca vetëm t’i shqyrtojë teknikisht aplikimet e kompanive të cilat kërkojnë investime strategjike në Kosovë.
Ai potencoi se deri tani kompania e cila ka parashtruar kërkesë për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh e ka kryer vetëm fazën e aplikimit, ndërsa për procedurat tjera Ministria e Tregtisë nuk është përgjegjëse
”Kompania në fjalë i ka plotësuar vetëm kriteret teknike. Kjo nuk nënkupton që kompania ka tashmë leje apo i ka përfunduar procedurat tjera për ndërtimin e hidrocentralit. Ne e kemi shqyrtuar vetëm aplikimin që është përgjegjësia e vetme e Ministrisë. Institucionet tjera kanë përgjegjësi për ta pajisur apo jo me leje atë kompani për të ndërtuar hidrocentral”, ka thënë Shala në Klan Kosova.
Ai ka bërë të ditur se për këtë temë, ka pasur takim edhe me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhahxeri.
“Kam pasur takim edhe me Kryetarin e Pejës, pranova shqetësimet e tij dhe të gjitha këto shqetësime do t’i paraqes me mbledhjen e ardhshme të komunitetit ndërministror. Nuk jam i interesuar që ta bëj ndonjë veprim i cili është në kundërshtim me planet e komunës së Pejës, apo me qytetarët e asaj ane. Siç e obligon ligji, ne vetëm e shqyrtojmë aplikacionin e një investitori strategjik dhe këtu përfundon kompetenca në lidhje me këtë çështje”, deklaroi ministri Shala.
Ndryshe për të kundërshtuar ndërtimin e Hidrocentralit në Lumbardh, sot në qendër të Pejës është organizuar edhe një protestë. /Telegrafi/