Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka reaguar lidhur me incidentin e grisjes së Kuranit në Prizren, duke e cilësuar atë si një çështje që duhet trajtuar me seriozitet dhe pa emocione nga organet e sigurisë.
Në një deklaratë, ai thekson se përdorimi i besimit fetar për të përçarë një shoqëri është një strategji e njohur që është përdorur nga shërbime inteligjente në kontekste të ndryshme historike dhe moderne.
“Kjo strategji ka qenë e përdorur nga disa shtete dhe grupe, duke përfituar nga ndasitë fetare për të arritur qëllime të ndryshme politike, ushtarake apo ideologjike”, ka deklaruar ai.
Sipas Shalës, manipulimi i narrativave fetare, përdorimi i teknologjisë për të përhapur propagandë dhe krijimi i liderëve të rremë fetarë janë disa nga taktikat që mund të shfrytëzohen për të nxitur përçarje dhe tensione.
Ai përmendi edhe shembuj historikë si lufta civile në Jugosllavi dhe aktivitetet e grupeve radikale në Lindjen e Mesme për të ilustruar se si këto strategji janë përdorur për të ndikuar në shoqëri dhe politika globale.
Në përfundim, Shala thekson se përdorimi i besimit fetar për të krijuar ndasi është një mjet i fuqishëm manipulativ që mund të ketë pasoja të rënda për stabilitetin e një shoqërie.
Për këtë arsye, ai apelon që rasti në Prizren të trajtohet me kujdes të veçantë dhe të analizohet në mënyrë të thelluar.