Telegrafi

Shala: Paratë e kosovarëve në Kosovë

Ministri Ahmet Shala ia kthen fjalën shefit të ICO-së, Piter Feith. Vetëm një javë pasi kishte marrë letër qortuese nga ky i fundit, Shala ia kthen me po të njëjtën mënyrë- me letër. Kreu i MEF-it ia bën me dije atij se rekomandimet për të mos i kthyer paratë e privatizimit dhe pensioneve në Kosovë, janë të pavend.

Në letrën që ka siguruar Gazeta Express, Shala vlerëson se ekonomia e Kosovës po humb nga mbajtja e këtyre mjeteve jashtë Kosovë me interes shumë të ulët, derisa me kthimin e tyre do të përfitonte shumë më shumë.

“Privatizimi merr pjesë me 10 për qind të GDP-së së Kosovës, e cila tani vuan nga investimet me interes të ulët jashtë vendit, duke mos sjellë benefit për ekonominë tonë.

Ne ndajmë shqetësimin e juaj dhe e dimë që duhet ndërmarrë hapa urgjentë në adresë të kësaj situate të papërshtatshme“, shkruan Shala.

Ai i kujton Feithit se privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore prej vitit 2002, ka qenë i suksesshëm, me shumë kompani të ringjallura, me profit nga investuesit privatë dhe shitje të cilat kanë gjeneruar të ardhura deri në 450 milionë euro. Por ky sukses, ai thotë se është zbehur për shkak të dështimit në zgjidhjen e ankesave të kreditorëve.