Site icon Telegrafi

Shala: Ndoshta ju kemi dëshpëruar, por askush nuk e dëshiron fitoren më shumë se ne futbollistët

Përfaqësuesja e përfundoi fazën kualifikuese për Kampionatin Botëror, ‘Rusia 2018’, pa asnjë fitore dhe me vetëm një pikë të fituar.

Herolind Shala fillimisht ka shprehur kënaqësinë që Kosova tashmë është pjesë e garave zyrtare ndërkombëtare dhe njëherësh ka shprehur dëshpërimin e tij për rezultatet gjatë fushatës kualifikuese.

Mesfushori e ka falënderuar përzgjedhësin Albert Bunjaku për punën që ka bërë me përfaqësuesen e Kosovës.

“Kemi ëndërruar gjithmonë që të luajmë në kualifikime dhe erdhi ajo ditë. Dua t’ju them se ndoshta ju kemi dëshpëruar, por më shumë se ne futbollistët nuk ka asnjë person tjetër që dëshiron fitore në fushën e blertë”.

“Gjithsesi ne e arritëm të bëjmë një ëndërr realitet duke luajtur në kualifikime, edhe pse kishim një grup jashtëzakonisht të vështirë, por ishim krenarë gjithnjë duke bartur fanellën e Kosovës”.

“Një ditë edhe do t’u gëzohemi fitoreve, edhe ju do të jeni krenarë me ne pasi më shumë se gjithçka duam t’ju bëjmë krenarë populli ynë që nuk na latë asnjëherë vetëm”.

“Në fund desha ta falënderoj nga zemra trajnerin Albert Bunjaku që ka grumbulluar gjithë këta futbollistë. Trajner, ke bërë një punë tejet të madhe, si mua ashtu edhe lojtarët tjerë gjithmonë i ke vizituar, na ke këshilluar dhe na ke ndihmuar”.

“Kosova është bërë një Përfaqësuese e respektueshme falë punës tënde të madhe, ke merituar edhe më shumë, por ky është futbolli. Faleminderit shumë, të priftë e mbara në të ardhmen”, ka shkruar Shala në postimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version