Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka mbajtur konferencën për fundvit, ku ka prezantuar të arriturat e vitit 2018 dhe objektivat e vitit të ardhshëm.
Shala ka folur edhe për urdhëresën e lëshuar sot, e cila i obligon shitësit e derivateve për çmimet.
“Gjithashtu unë kam lëshuar edhe urdhëresën e cila obligon pikat shitëse të karburanteve të vendosin në hyrje të secilës pikë shëtitëse tabelat në të cilat do të prezantohet edhe çmimi i secilit produkt të cilat e shesin ato pika të karburanteve”, theksoi Shala.
Në këtë konferencë, Shala ka theksuar se janë sponsorizuar 8 ligje, 20 udhëzime administrative, 6 rregullore të MTI-së, 4 udhëzime administrative, 1 rregullore të Qeverisë dhe 4 urdhëresa.
Ministri i MTI-së ka thënë se prioritet gjatë 2019 kanë qenë mbrojtja e prodhuesve vendor, përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritja e eksportit, mbrojtja e konsumatorit, reforma e Inspektimeve dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga MSA.
“Përmes vendimeve që kemi marr, kemi dëshmuar se prodhuesve vendor iu kemi dhënë prioritet: Duke zbatuar ligjin për anti dumping dhe ligjin për masa mbrojtëse ne kemi vendosur taksa për: Pemë dhe perime, blloka, miell, pastaj unë kam vendosur fillimisht taksën 10% për të gjitha prodhimet me origjinë nga Bosnja dhe Serbia e pastaj edhe taksa 100 % që do të vazhdojë të mbetet në fuqi për të gjitha produktet. Këto vendime të MTI-së kanë prekur direkt prodhuesin e Kosovës, fermerët tanë dhe ekonominë e vendit tonë në përgjithësi. Si rezultat i këtyre vendimeve, ka rritje të vendeve të reja të punës, ka mbulim më të madh të tregut vendor me prodhime vendore, dhe ka rritje të cilësisë së prodhimeve tona”, ka theksuar Shala.
Ministri ka potencuar se mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është bërë gjatë vitit 2018 dhe janë ndarë 1.6 milionë euro grante.
Ai ka thënë se është subvencionuar pjesëmarrja e 33 eksportueseve kosovarë në 9 panaire ndërkombëtare, në të cilat janë ekspozuar dhe promovuar mbi 220 produkte kosovare. Si rezultat i pjesëmarrjes në këto panaire janë nënshkruar 33 para kontrata për eksport, si dhe kompanitë kanë depërtuar edhe në 3 tregje të reja.
Sipas ministrit Shala, inspektimet shtetërore janë komponentë thelbësore e një shteti dhe duhet të jenë të fokusuara në zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve por assesi nuk duhet të shndërrohen në barrë administrative për sektorin privat në Kosovë.
“MTI është duke u angazhuar në zvogëlimin e barrës administrative dhe në thjeshtëzimin i Lejeve dhe Licencave për bizneset. Për momentin në Kosovë, janë në fuqi rreth 460 leje dhe licenca të ndryshme që lëshohen nga institucionet e ndryshme të nivelit qendror dhe lokal. MTI do të jetë institucioni i parë që do të filloj procesin e thjeshtëzimit të këtyre lejeve dhe licencave nëpërmjet një procesi rregullator dhe do të bëjë eliminimin e atyre që janë të dublifikuara (apo të tepërta) në mënyrë që të ndikoj në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes në Kosovë”, deklaroi ai.
Shala ka thënë se fokus tjetër për vitin 2019 është edhe thithja e investimeve të huaja.
“Në vitin 2019 fokus të veçantë do të kem në tregun e derivateve të naftës. Në kalimin e ligjit të ri sipas standardeve dhe direktivave të BE. Por gjithashtu, në hartimin e kritereve me qëllim të rritjes së kualitetit të derivateve të naftës në tregun vendor. Fokus tjetër i veçantë do të jetë promovimi i turizmit. Ne do të miratojmë ligjin e turizmit vitin e ardhshëm, dhe më në fund do të punojmë për një strategji nacionale për zhvillimin e turizmit në Kosovë. Thithja e investimeve të huaja do të jetë njëri nga prioritetet e rëndësishme gjatë vitit të ardhshëm. Ne kemi bërë disa ndërhyrje në aktet nënligjore të ligjit për investime strategjike dhe pres që në fillim të vitit të ardhshëm të shpalli edhe investitorët e parë strategjikë”, tha ministri Shala.
Mbrojtja e konsumatorit, prodhimi vendor, rritja e eksportit dhe përkrahja e NVM-ve do të vazhdojnë të mbesin prioritetet e MTI gjatë mandatit tim qeverisës./I. Shabani