Telegrafi

Shala: Kosova afër anëtarësimit në BERZH

Zyrtarë të Komisionit Evropian kanë shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala thotë se ka marrë sinjale në Bruksel që edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, do ta mbështesin anëtarësimin e saj në BERZH. Ai paralajmëron një vizitë në këtë institucion gjatë muajit shtator, për t’u njohur rreth procedurave të mëtejshme të anëtarësimit.

“BERZH-i është i pranishëm në Kosovë, por financon vetëm sektorin privat dhe portofoli i saj financiar është vetëm 50 milionë euro. Me anëtarësim do të kenë mundësi edhe komunat, Qeveria dhe institucionet publike të marrin kredi”, thotë Shala.

Kosova ende përballet me shumë sfida, ndër to shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë. Megjithëkëtë, ministri Shala thotë se Kosova ka qëndrueshmëri ekonomike dhe fiskale, rritje ekonomike vjetore rreth 6 për qind, që garanton realizimin e shumë projekteve infrastrukturore.

Sipas Shalës, Kosova ende ka nevojë për ndihmën e donatorëve. “Nënshkrimi i programit me FMN-në i hap perspektivë Republikës së Kosovës që të merr ndihmën e drejtpërdrejt buxhetore të premtuar gjatë konferencës së donatorëve rreth 150 milionë euro prej Komisionit Evropian dhe 60 milionë euro prej Bankës Botërore”, tha ministri Shala. /Telegrafi/