Shala u rendit i pesti në kategorinë deri 96 kilogramë në stil të lirë. Ai përfaqësoi Shqipërinë, ndërsa garoi të martën. Në luftë për medaljen e bronztë Shala 22-vjeçar u mposht nga bullgari Lyuben Iliev me rezultatin 5:0 pas dy periudhave (2:0, 3:0).
Mundësi kosovar nisi mirë paraqitjen në Evropianin e mundjes. Në luftën e parë, që ishte e vlefshme për 18 e finales, Shala mposhti rumunin Michael Manea me rezultatin e përgjithshëm 9:3 (2:3, 6:0, 1:0). Në çerekfinale fitoi kundër armenit Edgar Yenokyan pas dy periudhave me rezultat të përgjithshëm 10:2 (7:2, 3:0). Shala nisi mirë edhe luftën gjysmëfinale kundër ukrainasit Pavlo Oliinyk. Fitoi periudhën e parë me rezultat të thellë, 8:2. Por më pas pësoi rënie dhe humbi dy periudhat e tjera me rezultatin 3:0 e 8:0 dhe kështu mbeti pa finale. Më pas mbeti edhe pa medalje. Ukrainasi Oliinyk më pas doli kampion.
"Në përgjithësi paraqitja e Egzonit ishte shumë e mirë. Në dy luftërat e para dominoi plotësisht. Në gjysmëfinale kundër ukrainasit nisi mirë, por nga dëshira dhe angazhimi shumë i madh bëri gabime që i kushtuan", ka thënë trajneri i mundësit kosovar, Sylejman Shala, për Kohën Ditore. /Telegrafi/