Telegrafi

Shala: Gratë në Kosovë kanë qenë të suksesshme ku u është dhënë rasti të jenë në vendimmarrje

Në emisionin “#Hashtag” me Krenare Vokshi-Shala është diskutuar për të drejtat e grave në Kosovë dhe më gjerë.

Afaristja Linda Shala thotë se në Kosovë gratë sa herë që e kanë pasur rastin për të qenë në vendimmarrje kanë qenë super të suksesshme madje edhe më shumë se burrat.

Linda thotë se gratë mund të vendosin vet nëse duan të sakrifikojnë karrierën e tyre për të mbështetur atë të partnerit, por jo t’u imponohet një gjë e tillë.

“Unë respektojë shumë gratë që dëshirojnë të jenë amvise. Është një profesion shumë i respektueshëm, por vetëm nëse është zgjidhje e tyre”.

Afaristja thotë se nëse vlen shprehja “pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e zonja”, një “grua e suksesshme ka një apo më shumë burra”.

“Unë nëse nuk do ta kisha përkrahjen e babës, vëllait, bashkëshortit kishte qenë shumë vështirë të organizoja jetën si e kam sot”.

Shala thotë se gratë shqiptare në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe gjatë luftës.

“Shpresoj që historianët do të bëjnë ndonjë libër për rolin e grave të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta. Më e pakta ishte që gratë kosovare kanë hapur dyert kur policia serbe ka kërcitur në derë”, tha ndër të tjera Linda Shala./Telegrafi/