Site icon Telegrafi

Shala: Gjakova prej kohësh pa coronavirus, po shkon drejt normalitetit

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala ka folur për situatën shëndetësore në Komunën e Gjakovës.

Shala në RTV Dukagjini thotë se nga data 18 prill në Komunën e Gjakovës nuk janë paraqitur raste të reja me COVID-19.

“Të gjithë personat e infektuar po ashtu janë shëruar. Në Gjakovë ngadalë po i kthehemi normalitetit”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës thotë se në këtë komunë janë shuar të gjitha vatrat e coronavirusit dhe nuk ka më ndonjë test pasi nuk ka edhe dyshime.

“Pacientët që kanë pasur sëmundje tjera dhe shenja të COVID-19 janë dërguar për testim dhe për fat të mirë kanë rezultuar negativ”.

Shala thotë se megjithatë pandemia ende nuk ka kaluar dhe sipas tij derisa të zbulohet ndonjë vaksinë kundër virusit qytetarët duhet të kenë kujdes dhe të mbajnë distancën dhe higjienën personale./Telegrafi/

Exit mobile version