Telegrafi

Shala: Deputetë, kredia është në interes të vendit

Ministri Shala u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të që të kenë mirësinë për ta votuar këtë kredi nga Banka Botërore, e cila – sipas tij – është në interes dhe të mirë të të gjithëve dhe në veçanti për të ardhmen e vendit tonë. 

“Marrëveshja për marrjen e kredisë për financimin e projekteve nga Banka Botërore i përket historisë së re të shtetit të Kosovës dhe është bërë vetëm pas nëntë muajsh nga anëtarësimi i shtetit tonë në ketë institucion. Implementimi i kësaj kredie do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e efikasitetit të mëtutjeshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të shërbimeve që ato ofrojnë. Njëkohësisht do të ndikoj edhe në krijimin e parakushteve për ofrim te shërbimeve me efikase dhe ambient për punë dhe jetë më të mirë në Kosovë. Kjo kredi do të ndikojë edhe në zhvillimin e Kosovës dhe do ta përmirësoj ambientin e biznesit dhe gjithashtu do të rregulloj çështjen e tokave dhe tregut të pronave në zonat rurale dhe urbane”, tha Shala.

Ministri Shala, shtoi se, “jeni të informuar se para pak ditësh kemi nënshkruar edhe marrëveshjen për hyrje në program me FMN-në dhe për këtë unë jam më se i bindur se kredia e arritur me BB ka qenë shtytëse për te vendos një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të besueshëm me FMN-në, e që të dyja këto se bashku janë në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Shuma e përgjithshme e financimit të këtyre dy projekteve arrin në $ 20.25 milion dollarë (prej tyre 9.11 milion dollarë janë grant kurse 11.15 milion dollarë janë kredi e butë).

Projekti i parë në vlerë 12.25 milionë dollarë ka të bëjë me Regjistrimin e Pronave te patundshme dhe Kadastrën. Kjo, sipas Shalës, do të përshpejtojë zhvillimin dhe do ta përmirësoj ambientin e biznesit, dhe gjithashtu do të rregulloj çështjen e tokave dhe tregut të pronave në zonat rurale dhe urbane.

Projekti i dytë, Modernizimi i sektorit publik të Kosovës është rreth 8 milion dollarë, nga kjo shume 4.4 milion dollar janë kredi për 40 vite dhe me 10 vite grejs periudhë. Pjesa tjetër e mbetur është grant i asociacionit për zhvillim ndërkombëtar.
 

Kushtet e kredisë për të dy projektet:

• Periudha e ekzekutimit të projektit 2013;
• Afati i shlyerjes së kredisë 2049 (39 vite);
• Grejs periudha 10 vite;
• Pagesa prej 0.5% (maksimumi) ne vit, ne shumën e pa tërhequr të bilancit të financimit;
• Kosto shërbimi ne shumën e tërhequr te bilancit te financimit 0.75%.
• Investime kapitale $ 2.4 milion, konsulencë dhe trajnime $ 5.6 milion
• Pagesat e borxhit bëhen me 15 mars dhe 15 shtator. /Telegrafi/