Shakhtar Donetsk ka fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Barcelonës në sfidën e vlefshme për raundin e katërt në Ligën e Kampionëve në grupin H.
Fillimi i ndeshjes u karakterizua me lojë të qetë me ukrainasit që po i mbulonin mjaft mirë hapësirat në mbrojtje.
Goli i vetëm në këtë takim dhe ai i fitores për Shakhtarin erdhi në minutën e 40-të të ndeshjes pas një aksioni mjaft të bukur që përfundoi me gol nga Danylo Sikan i cili me kokë arriti të shënoj për 1-0.
Në pjesën e dytë Barcelona mori inciativën duke dominuar pothuajse gjatë gjithë kohës me posedim të topit por pa arritur të krijojnë ndonjë rast të mirë shënimi.
Xavi u mundua që përmes zëvendësimeve të ndryshoj rrjedhën e lojës, por pa sukses sepse ukrainasit ishin mjaft të disponuar për lojë.
Blaugranasit u ankuan për një penallti në minutën e 82-të por gjyqtari heshti dhe ndeshja vazhdoi.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Shakhtari arriti ta menaxhojë mirë epërsinë e krijuar dhe mori tri pikë shumë të rëndësishme.
Me këtë triumf Shakhtari mban gjallë shpresat për kualifikim tutje, teksa Barcelonës i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar plasmanin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve./Telegrafi/