Telegrafi

Shakaja pa kripë e Trump për meksikanët (Video)

Ndalesa e radhës së fushatës së Donald Trumpit ishte në New Hampshire, ku i nominuari i supozuar i Partisë Republikane iu rikthye temës prej tij më të dashur, padrejtësisë që ai sheh tek mungesa e ekuilibrit në tregtinë amerikane.

“Deficiti i tregtisë së industrive tona përpunuese me botën është gati 800 miliardë dollarë. Ja pra, që kemi një deficit tregtar. Dhe ne tregtojmë, por ndërkohë deficiti është 800 miliardë dollarë. Asgjë e re, apo jo”, u shpreh Trump.

Shifrat e ofruara nga Trumpi ishin ndjeshëm më të larta se ato të bëra publike nga Byroja Amerikane e Analizës Ekonomike, e cila e vendoste në 530 miliardë dollarë deficitin e industrive përpunuese amerikane nëpër botë për vitin 2015.

Por, një mitingu të Donald Trumpit nuk mund t’i mungonin batutat polemizuese. Një avion privat fluturoi mbi kokat e njerëzve të mbledhur në tubim e për një çast i ndërpreu miliarderit fjalimin. Trumpi përfitoi nga rasti e lëshoi një tallje, transmeton tch.

“Mund të jetë avion meksikan ai atje lart. Po bëhen gati për sulm”, tha Trump.