Site icon Telegrafi

​Shaip Kamberi vendos flamurin kombëtar në Kuvendin e Serbisë

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka paraqitur sot flamurin kombëtar në Kuvendin e Serbisë.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, reagoi ndaj kësaj, duke kërkuar nga Kamberi që të largojë flamurin duke i thënë se kjo është shkelje e rregullores.

Fillimisht ai reagoi ashpër, por më pas Kamberi e cilësoi si censurë heqjen e flamurit kombëtar.

“Me mirësjellje ju kërkoj të respektoni rregulloren e Asamblesë Kombëtare, që thotë qartë se është e ndaluar të shfaqen simbole të partive apo shteteve të tjera”, ka thënë Daçiq.

Pas kësaj deklarate, Kamberi kishte hequr flamurin.

Ndaj vendosjes së flamurit kombëtar reagoi edhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

“Do të doja të flisnim për gjëra më specifike. Nëse ju mendoni se keni të drejtën të shfaqni flamurin tuaj, që të flasim për një flamur të një shteti tjetër, kjo flet për nivelin se sa reale janë problemet që i mendoni ju për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc”, ka thënë Bërnabiq.

Më pas, Kamberi është përgjigjur duke i thënë se s’ka asgjë më të rëndësishme se identiteti.

“Nuk ka diçka më të rëndësishme se identiteti. Mund të kemi para dhe punë, por nëse s’kemi identitet e gjuhë… ky flamur është përdorur nga shqiptarët që nga viti 1443 dhe është më shumë flamur kombëtar se shtetëror”, ka thënë ai.

Ndryshe, në Beograd është duke vazhduar seanca plenare e Kuvendit të Serbisë.

Exit mobile version