Site icon Telegrafi

Shaip Kamberi nuk arrin të rizgjidhet deputet në Kuvendin e Serbisë

Foto: Arkiv

Shaip Kamberi nuk ka arritur të fitojë mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë pas rivotimit që u bë në Tërnoc.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka marrë vetëm 598 vota, ndërkaq Kamberit i duheshin së paku 610 vota.

“Në vendvotimin në shkollën fillore “Muharrem Kadri” votuan 618 nga 1050 votuesit e regjistruar. Partia Socialiste e Serbisë mori gjashtë vota, ndërsa koalicionet NADA dhe Alternativa për ndryshim nga dy vota. Dhjetë fletëvotime u shpallën të pavlefshme”.

Zgjedhjet në vendvotimin nr. 6 në Tërnoc të Bujanocit u mbajtën për herën e tretë, pasi më 28 prill, në këtë vendvotim ishin përsëritur zgjedhjet.

Pas numërimit të votave, Shaip Kamberi kishte fituar shumicën e tyre, dhe kishte mbledhur mjaftueshëm për t’u zgjedhur deputet, por, më pas Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RKZ) i kishte anulzuar zgjedhjet e përsëritura.

Gjykata Administrative kishte hedhur poshtë ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës-KSHL ndaj vendimit të KRZ-së për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërrnoc.

E pas kësaj, krerët shtetëror të Kosovës e Shqipërisë, i kishin dalë në mbështetje Kamberit.

Ata vazhdimisht iu kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të Bujanovcit të mobilizohen për ta votuar sa më shumë Kamberin.

Duhet theksuar se në zgjedhjet parlamentare në Serbi të mbajtura më 21 qershor 2020, partitë kryesore shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva u shfaqën në listën e përbashkët dhe fituan rreth 26.500 vota, ose tre ulëse në Kuvendin e Serbisë.

Frymëzuesi i idesë së pjesëmarrjes së përbashkët në zgjedhjet parlamentare ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kurse realizues ministri i atëhershëm për Evropën dhe Punët të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj. /Telegrafi/

Exit mobile version