Jagoda Shahpaska, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, sqaroi sot se dje në seancën e qeverisë u ra dakord që subvencionet për punësim të barabartë sipas kritereve etnike në ndërmarrjet private duhet të shpërndahen njëjtë si përqindje e bashkësive etnike në vend.
Plani i punësimit për vitin 2021 i Agjencisë së Punësimit parashikon 25 milion euro për të stimuluar punësimin në sektorin privat dhe ato, sipas Ministres, duhet të shpërndahen sipas strukturës etnike në vend dhe parimit të zhvillimit të ekuilibruar, domethënë të japin më shumë subvencionet në ato rajone që janë më pak të zhvilluara.
“Ky është një konfirmim i parimit të gjithëpërfshirjes dhe diversitetit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Me zv. Kryeministrin Artan Grubi kemi dashur të pasqyrojmë shoqërinë në këto masa. Pra, pjesëmarrje e barabartë, por në kushtet kur keni anëtarë nga grupe të ndryshme etnike, përfaqësimi i tyre duhet të jetë në të njëjtën mënyrë siç përfaqësohen në shoqëri”, shpjegoi Shahpaska./Telegrafi/