Në luftën e Kosovës, Shqipëria hapi dyert për strehim dhe ndihmë, ndërsa 20 vjet më pas të njëjtën gjë e bëri Kosova pas tërmetit të 26 nëntorit ku mbetën të vdekur mbi 50 persona.
Besa Shahini përjetoi këto dy periudha mortesh që bashkuan shqiptarët. Më 1999 si një e re kosovare, derisa tash si Ministre e Arsimit në Shqipëri.
Por, ajo thotë se nuk u befasua aspak nga gjithë ajo çfarë bënë shqiptarët e Kosovës për Shqipërinë në ditët e rënda që kaloi pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Do të doja të thoja qysh në fillim që nuk më ka befasuar fare solidariteti që e kanë treguar shqiptarët e Kosovës për Shqipërinë në këto dy javët e fundit, kur ndodhi tërmeti dhe gjithë pasojat që solli”.
“Jam shumë mirënjohëse, sepse ka qenë një ndihmë shumë e madhe, sidomos në ditët e para të menaxhimit të krizës. Ndihma që erdhi nga Kosova jo vetëm me grupet emergjente që ishin FSK-ja që ndihmuan edhe në shpëtimin dhe nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat e shtëpive të tyre, por edhe grupet e inxhinierëve që më kanë ndihmuar mua [Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë] veçanërisht për të adresuar një çështje që e kishim shumë me merak – se a janë shkollat e sigurta për t’u hapur ose jo”, tha Shahini, në Zona B të Klan Kosovës.
Shahini ka thënë se bashkimi i shqiptarëve në këtë tragjedi ka treguar që kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë janë krejt simbolikë.
“Në një mënyrë u nënvizua që këto kufijtë që janë mes Kosovës dhe Shqipërisë janë simbolikë. Kur vjen puna për çështje që janë të rëndësishme, thelbësore për kombin, njerëzit janë një dhe nuk ndalen të mendojnë dy herë ‘ta jap ndihmën ose jo’”.
Ajo tha po ashtu se ndonëse është një kufi real që i ndan, Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të frymojnë si NJË në gjëra të rëndësishme.
“Debati politik mbi të ardhmen e kombit, debati politik si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, që është më shumë partiak, do të vazhdojë. Në momentin që ndodhi pjesa e emergjencës, filluan zërat e zakonshëm – pozita dhe opozita, Kosova dhe Shqipëria. Kjo nuk e ndryshon faktin që kur vjen puna te gjërat e rëndësishme ne jemi një, funksionojmë dhe frymojmë si një”.
Ministrja e Arsimit e Shqipërisë në këtë intervistë ka rrëfyer për një telefonatë që i ka bërë Shpend Ahmetit dhe bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës për inspektimet inxhinierike të shtëpive dhe objekteve që i kishin rezistuar tërmetit.
“Në ditët e para kur e pashë që Bashkia e Durrësit dhe Krujës, që ishin dy bashkitë më të prekura nga tërmeti, nuk kishin kapacitetet e tyre jo për të parë shtëpitë, por as shkollat që i kishim shumë të rëndësishme të verifikonim nëse janë në rregull ose jo, unë e pata shumë lehtë që ta marrë telefonin dhe ta thërrasë Shpend Ahmetin”.
“Shpend Ahmetit i thashë ‘a mund të vijnë inxhinierët që punojnë në Komunën e Prishtinës’. Ai bëri disa telefonata të tjera edhe u organizua një grup prej 40 personash që kanë ardhur dy herë”.
“Po e kuptoj që sot prapë i jemi kthyer debatit të vjetër, Kosova, Shqipëria, PD, PS, zgjedhjet në Kosovë – me kthimin e normalitetit është kthyer edhe ky debat. Por, unë nuk e harroj dhe nuk do ta harroj kurrë që kur vjen puna për gjëra të rëndësishme ne funksionojmë dhe frymojmë si NJË”.
Por, a mund të bëhet realitet një Kosovë dhe Shqipëri që nuk ndahen më nga një kufi?
“Po shpresoj që me hapat që po marrim jemi duke shkuar në drejtimin që Kosova dhe Shqipëria mos ta kenë as këtë kufirin simbolik, që të ndajë as elitat dhe as njerëzit”.
“Tani nuk është koha që të flasim për këto, por si Ministre e Arsimit kemi ndërmarrë një projekt të vogël që ka qenë shumë domethënës. Nxënësit e shkollave të mesme të Shqipërisë erdhën dhe jetuan me familjet e bashkëmoshatarëve të tyre në Kosovë dhe shkuan në shkollë. Më pas, i morën bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri. Kështu u bë një shkëmbim jo vetëm i nxënësve, por një shkëmbim shumë më përmbajtësor kombëtar”.
“Po ndërmarrim hapa ku do të jetë thjesht një realitet që shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë të jenë të ndërshkëmbyer edhe në mendje, por edhe në veprime konkrete”, tha Shahini.