Telegrafi

Shahini: Bizneset kosovare kanë nevojë për ndihmë institucionale

Prodhimet vendore mund të zhvillohen dhe të afirmohen nëse institucionet angazhohen për krijimin e politikave të favorshme, kurse bizneset e rrisin cilësinë e prodhimeve . Kështu u shpreh kryetari i AKB-së, Agim Shahini, duke theksuar se bizneset kanë nevojë për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, sidomos për kompanitë prodhuese.

Shahini theksoi se duhet të eliminohet edhe konkurrenca jolojale dhe kompanitë duhet të zhvillojnë marketing më agresiv për promovimin e afarizmit të tyre.

Naser Graiçevci, drejtor i Agjencisë së ndërmarrjeve të vogla e të mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për përparimin dhe lehtësimin e procedurave për afarizëm të bizneseve.

Nashide Bajrami, udhëheqëse e divizionit të politikave fiskale në ministrinë e ekonomisë dhe financave theksoi se reformimi i politikës fiskale, ka ndikuar efektivisht në punën e kompanive vendore.

Zëvendësdrejtori i doganës së Kosovës, Bajram Rexha, foli po ashtu për lehtësira të qarkullimit të mallrave pas zbatimit të kodit doganor dhe të akcizave. Ndërkaq, Muhamet Sadiku nga Instituti RIINVEST, theksoi rolin që do të zhvillimi i industrisë për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, pavarësisht sfidave me të cilët do të përballet ky sektor.

Alban Hashani, hulumtues në RIINVEST prezantoi një raport për zhvillimin e sektorëve prodhues, të hartuar nga anketimi i rreth një mije e 200 ndërmarrje prodhuese me mbi 5 të punësuar. Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të aktivitetit të “Javëve të Biznesit”, të organizuar nga AKB-ja, që përmbyllet më 18 nëntor. /rtk/