Site icon Telegrafi

Shahini: 2017 vit i kthesave të mëdha politike, por jo edhe atyre ekonomike

Për zhvillimin ekonomik të vendit gjatë këtij viti dhe sfidat me të cilat janë përballur në vitin 2017 ka dhënë vlerësime edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në konferencën përmbyllëse. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se 2017 ishte vit i kthesave politike, por jo edhe atyre ekonomike. Si ndër sukseset kryesore përmendi masat e reja fiskale që do hynë në funksion nga një janari dhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit nga kompania amerikane në vlerë 1.300 miliardë euro.

Shahini, tha se liberalizimi i vizave nuk ndodhi dhe si rezultat i saj kosovarët u detyruan të marrin mbi 8 mijë e 500 viza pune iu lëshuan nga ambasadat e ndryshme. Për këto viza afariste, turistike, sportive e familjare u shpenzuan mbi 20 milionë euro. Sipas kreut të AKB-së, zgjedhjet qendrore dhe lokale patën efekte negative në ekonomi, ku vetëm tre muajt e fundit qeveria vendosi të merret me procese ekonomike dhe heq të gjitha taksat për teknologji dhe lëndë të parë nga 1 janari 2018. Ministria e Financave, morri edhe një vendim që të filloj procedurat për bartjen e TVSH-së nga kufiri në brendësi.

“Marrëveshja për demarkacionin Kosovë – Mali i zi solli trubulenca të mëdha në mes qeverisë, kuvendit e ndërkombëtarëve”, tha Agim Shahini.

Ai shtoi se po ashtu Ushtria e Kosovës nuk u themelua e as Asociacioni i Komunave Serbe, që për AKB-në janë të lidhura në mënyrë tërthorazi. Integrimi dhe njohjet e Kosovës sipas kryetarit të AKB-së kanë stagnuar në vitin 2017.“Marrëveshja Stabilizim Asocimit, nuk arriti të rritë eksportin në Bashkimin Evropian”, tha Agim Shahini.

Sipas tij, punësimi ishte dukshëm më i vogël sesa pritje. “Mesatarisht 12 mijë për çdo vit sipas statistikave të AKB-së. Informaliteti mbeti rreth 35 për qind. Prodhimi vendor nuk arriti ta zëvendësojë importin i cili u rrit edhe në vitin 2017. Deficitet tregtare mbeten të larta në raport 88 % – 12% të eksportit. Për ndërtimin e termocentralit nga kompania amerikane në vlerë 1.3 miliard euro u nënshkrua marrëveshja. Sektori më profitabil në Kosovë ishte ai financiar i patundshmërisë dhe ai i ndërtimit.

“Demarkacioni me Malin e zi, Gjykata Speciale, Asociacioni për Komunat Serbe dhe mos formimi i Ushtrisë së Kosovës, janë të gjitha këto tema që mund të destabilizojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja dhe ngadalësimin e zhvillimit ekonomik”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.
Sylejman Konushevci, pronar i fabrikës së vajit Bio oil, tha se si prodhues kanë pasur vështirësi në importin e lëndës së parë për shkak të politikave jo të favorshme. /Telegrafi/

Exit mobile version