Para pesë ditësh është përuruar Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) në lagjen “Ilirida” të Mitrovicës.
Gjatë ditës së sotme, drejtori për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, e ka vizituar personelin shëndetësor në këtë QMF, shkruan Telegrafi.
Shabani ka thënë se përkushtimi dhe profesionalizmi i personelit shëndetësor janë “premisa të forta për cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve shëndetsore”.
“Kushtet e mira të punës në QMF-në e re dhe përkushtimi e profesionalizmi i personelit shëndetsor, që punon në këtë qendër janë premisa të forta për cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve shëndetsore, që do të ofrohen tash e tutje në këtë QMF”, ka thënë Shabani.
Hapja e kësaj QMF-je u cilësua si një projekt me rëndësi të veçantë për shëndetësinë në Mitrovicë.
Ky projekt është bashkëfinancim mes organizatës “Qatar Charity” dhe Komunës së Mitrovicës, ku 42 për qind është financim nga organizata në fjalë dhe 58 për qind nga komuna, derisa kostoja totale e projektit është rreth 340 mijë euro. /Telegrafi/