Agjencia për sigurime ”SGS” e Shkupit, është e pamposhtur në këtë lloj biznesi dhe vazhdon që të fitojë tendera nga institucionet shtetërore, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Marrëveshja e fundit e institucioneve shtetërore me këtë kompani është publikuar mbrëmë, e nënshkruar me muzeun arkeologjik në Shkup, me një vlerë prej 140.000 euro, për një vit sigurim.
Edhe në këtë konkurs, ngjashëm si në konkurset tjera që kjo kompani i ka fituar, ka qenë ofertuesi i vetëm.
Ndryshe, ky është tenderi i shtatë që SGS e ka fituar, që nga fillimi i këtij viti, me një vlerë të përgjithshme prej 911.000 euro, ndërkaq që nga viti 2012, kur edhe ka filluar me punë, e deri në fund të vitit 2015, kjo kompani ka fituar 56 tenderë shtetëror, kurse në 46 prej tyre, SGS ka qenë ofertuesi i vetëm. Në kundërvlerë parashë, vetëm për katër vjet, SGS ka fituar 16 milion euro./Telegrafi/