Site icon Telegrafi

Sfidë për një botë me arsye!

Arian Galdini

Po të jetonim në një botë me arsye e paqe vetjake të secilit prej nesh, shumë çështje do të ishin trajtuar e kuptuar ndryshe, e të tjerë njerëz do ishin dëgjuar e konsideruar. Në një botë me njerëz me arsye dhe paqe vetjake, pëlqehet e vërteta. Jo e vërteta selektive, as ajo asnjanëse e as ajo e njëanshme. Pëlqehet e vërteta e thellë, e fortë, e drejtpërdrejtë, që flet për gjithçka, kudo e këdo.

Në një botë me njerëz me arsye dhe paqe vetjake, nuk do të kishte kaq shumë zënka, debat, lëvrim e shpenzim energjie, për barinj, liderë e kryetarë. As për parti. Në një botë me njerëz me arsye dhe paqe vetjake, energjia e shoqërisë dhe qytetarëve të saj do të gëlonte e ndizej për modelet jetësore, për raportet e mëdha mes lirive dhe cenuesve të lirive, përfaqësimit dhe tjetërsuesve të përfaqësimit, bashkëjetesës në solidaritet, drejtësi e mirëqenie dhe dasive për sundim e plaçkëbërje, mes hapjes së rrugëve për shpalosje talentesh, zotësie e imagjinate përballë aleancës së mediokërve, mes pro jetës dhe liberalëve, e kështu me radhë…

Jo. Ne nuk kemi të tilla çështje e debate. Ne ndahemi pro dhe kundër kryetarëve, pro dhe kundër partive, pro dhe kundër kryetarëve dhe mëtonjësve për kryetarë, e kështu me radhë…

Ne ndarjet dhe bashkimin i kemi bazike. Zihemi dhe dashurohemi për kapistrën që na siguron bukën e gojës, tenderin, statusin social, karrierën politike apo plaçkëbërjen e madhe lart në pushtete… Veshët janë të mbyllur, interesi i vdekur, sytë të verbër për njerëz që ngrenë çështje, thonë të vërteta e që kërkojnë e synojnë të ndriçojnë mendje qytetarësh dhe hapësira sociale… Është e kotë.

Veshët në vende si ky i yni dëgjojnë vetëm frekuencën e vijës së partisë që vjen nga lart. Interesi zgjohet vetëm nga përfitimi me çdo kusht. Sytë shohin vetëm shkëlqimin e pushteteve dhe plaçkës. Asnjë nga ne nuk e ka kuptuar këtë realitet. Edhe unë që po shkruaj sot për këtë realitet më janë dashur 27 vite aktivizëm politik, civil dhe publik, që t’ia mbërrij kësaj të vërtete.

Mund të jem unë i gabuar. Mundet. Mund të jem unë i ndikuar dhe shtrembëruar në kuptueshmëri dhe analizë, për shkak të historisë sime personale. Mundet. Ama, për çdo rast, po e shkruaj e po e ndaj me ata që duan ta lexojnë këtë të vërtetë, sepse ku i dihet, ndoshta ia kam goditur saktë. Ku i dihet… Mundet.

Ne që kërkojmë të vërtetat, ne që jetojmë me ushqimin e mendjes dhe jo me mendjen tek ushqimi, ne që i kërkojmë, i themi, por nuk i pretendojmë të vërtetat, jemi një soj dështakësh të paralajmëruar në këtë shoqëri e në këtë vend.

Jo dështakë në nivel personal. Personalisht, profesionalisht, familjarisht mund të jemi të suksesshëm e madje edhe shumë të suksesshëm. Ne jemi të dështuar të paralajmëruar në përpjekjen, aspiratën dhe pritshmërinë tonë për të ndriçuar mendje njerëzish dhe hapësira sociale a politike në këtë vend. Nuk e bëjmë dot. Pikë.

Është e pamundur. Në këtë vend duan mashtruesin, dhunuesin dhe batakçiun. Kanë adhurim për atë që shtyp e shkel me këmbë këdo. Në këtë vend kanë adhurim për atë që plaçkit e gjobit gjithçka e këdo, e pastaj ble me çikërrima gjithkënd.

Përulësia, mirësia, qëllim-mbarësia, aspirata në një vend të tillë janë terma, koncepte e sjellje të pakuptuara, të cilat ngase nuk kuptohen e as durohen, keqpërkthehen. Përulësia përkthehet si dobësi, mirësia si mashtrim, qëllim-mbarësia si kopili, ndërsa aspirata si delir.

Ky është një vend, ku po fole nuk ka dëgjues e as përgjigje. Ka vetëm nga ata që ta plasin ballit duke të pyetur: E kush je ti? U bëre ti?

Ky është një vend ku po shkruajte nuk ka as lexues e as kritikë. Ka vetëm nga ata që ta mbështjellin me të shara, komente fyese pa të lexuar e batërdi balte pakufi. Ky është vend ku po nuk u anësove me njërën palë, të lënë fillikat vetëm e pastaj të thonë se vetëm je kot e nuk bën dot gjë. Ky është vend ku po u anësove me njërën palë, pikërisht ata që nuk të përshëndetën e as mbështetën kurrë sa ishe vetëm, të kërkojnë llogari e të shajnë e gjykojnë, e mallkojnë, pse ti u bëre me këta apo ata. Ky është vend ku po të ndërrosh parti për të mbrojtur e ruajtur besnikërisht idetë, idealet, parimet, integritetin, aspiratat dhe ambiciet e tua, quhesh bishtpërdredhur, i lëvizshëm, armik, i keq.

Po i qëndrove besnik partisë dhe kryetarit, edhe kur bën luftë me ish-mikun, dashuri me armikun, vjedh, mashtron, bën plaçkë, vë gjoba, vret e pret, quhesh luajal, i duhuri, i vlefshëm, më i miri.

Ky është një vend ku të thuash të vërteta të thella, të ndjera e të sinqerta, nuk merr shumë pëlqime e mbështetje… Po të shkruash gjëra pa angazhim dhe neutrale, merr shumë pëlqime e mbështetje.

Dhe ne themi se njerëzit pëlqejnë të vërtetën… Sa gënjeshtarë dhe hipokritë që jemi… Po të thuash të vërteta të njëanshme, merr shumë pëlqime e mbështetje. Po të thuash të vërteta të paanshme, ku i përfshin të gjitha e të gjithë, nuk merr fare as pëlqime e as mbështetje…

Ne nuk duam të vërtetën. Ne duam të na konfirmosh pse jemi ata që jemi, aty ku jemi e pse bëjmë atë që bëjmë…

Jemi të mjerë….

Po të thuash të vërtetën pa qenë i konfirmuar nga sistemi, as në lojë brenda sistemit e as si pjesë e interesave, ndërlidhjeve apo porosive të sistemit, ti nuk ekziston. Sepse, këtu në këtë vend, edhe për qytetarët që janë viktima të sistemit, nëse ty të mohon e shpërfill sistemi, ti nuk ekziston.

Le të vlesh sa të duash, të jesh i zoti sa të duash, të jesh i shkolluar sa të duash, të bësh, të thuash, të shkruash, të sakrifikosh, çfarë e sa të duash, po të mohoi e shpërfilli sistemi, ty do të të mohojnë e shpërfillin edhe qytetarët, pra ti nuk ekziston.

Kushtet janë këto.

Nuk kemi ç’bëjmë. Ose do të vazhdojmë të shpresojmë e rezistojmë në përpjekjen e luftën tonë për të sjellë në këtë vend, një botë me arsye, ose do ta humbasim edhe ne, o vendin, o arsyen, o të dyja bashkë.

Kjo është sfida.

Exit mobile version