LDK e ka kërkuar këtë reformë zgjedhore për mes hartimit të ligjit të ri jo për ta ndryshuar kozmetikisht atë, por për të gjetur mekanizmin më të sigurt për mbrojtjen e votës së qytetarit, pasi ky ka qenë shkaku real i humbjes së sajë në zgjedhjet e fundit
1.
LDK bëhet intriguese për mediat e vendit atëherë kur brenda sajë “vlojnë” zëra kundër linjës zyrtare apo këta zëra përpiqen që përmes kundërshtisë apo kontestimit të zhvillojnë pak protagonizëm për vetën e tyre. Pasi kjo është e vetmja formë e mbetur për t`ia rikujtuar ndokujt adresën e tyre, të cilën për fatin e tyre të keq, askush nuk po e kërkon më! Por a e përbëjnë këta sfidën e vërtetë për LDK-në? Ose më saktë, a është F. Sejdiu dhe njerëzit e tij (siç po quhen disa sejmen politikë) sfida e së tashmes apo të ardhmes së LDK-së? Mendoj se këtu duhet hequr menjëherë dilemat; (a) edhe pse ky lloj i politikanëve (të (rangut) ulët) ende fshehin brenda vetës zjarminë e daljes shpejt e shpejt nga politika, ata nuk e kanë argumentin në dorën e tyre pasi nuk po mbrojnë një kauzë me kundërshtitë e tyre të fundit, por po provojnë të bindin vetën se fuqia e tyre politike nuk ka mbaruar. (b) Instrumentet që këta përdorin (individ degësh me reputacion të reduktuar apo që nuk e kanë pasur kurrë) nuk premtojnë alternativë, por dëshmojnë edhe një herë pa fuqinë për tu ringjallur politikisht. (c) Dhe e fundit, këta individ nuk përbëjnë një strukturë të organizuar dhe politikisht të përfaqësuar, për ta gjëja më e rëndësishme është mbetja (së paku vet) në politikë, dhe atë me çdo kusht.
Por ajo që përbën sfidën e vërtetë në këtë rrafsh është thithja në nivel lokal (dhe jo vetëm atje) e njerëzve të rinj, pa implikime të më hershme politike dhe me një forcë intelektuale që do ishte e parezistueshme për komunitetin. Këta liderë të rinj lokalë do përbënim levën lëvizëse të elektorati të LDK-së, por edhe atij opozitar në përgjithësi. Por, kuptohet, këta individ nuk duhet të kenë vetëm CV të pasura, por mbi të gjitha pasion për vendi dhe politikën.
2.
Dy sfidat, që tani për tani duhet ta mobilizojnë politikisht LDK-në janë ligji zgjedhor dhe platforma politike për zgjedhjen e presidentit të ri pas 7-8 muajsh.
E para përbën preludin e fitores politike të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme (të parakohshme) parlamentare. Deri më tani po shohim një ngecje me pasoja serioze për përpilimin e këtij ligji themelor për të ardhmen e demokracisë në vend. LDK udhëheqë komisionin për hartimin e këtij ligji, por deri me tani nuk është parë ndonjë kreativiteti për t`i dhënë përgjigje të duhura kësaj problematike. Bile, është vërejtur një tendencë për tu marr me element periferikë, siç janë zonat zgjedhore, pragu zgjedhor apo gjëra të ngjashme, që në esencë nuk përbëjnë thelbi e çështjes!
LDK e ka kërkuar këtë reformë zgjedhore për mes hartimit të ligjit të ri, jo për ta ndryshuar kozmetikisht atë, por për të gjetur mekanizmin më të sigurt për mbrojtjen e votës së qytetarit, pasi ky ka qenë shkaku real i humbjes së saj në zgjedhjeve e fundit. Këtë e dëshmoj edhe raporti i fundit i progresit i KE. Prandaj, LDK duhet urgjentisht të hartoj strategjinë e vet dalëse nga ky prapakthim politik që vendi ka pësuar me dëmtimin e procesit zgjedhor, e kjo mund të bëhet nëse realizohet një ekspertizë e gjerë dhe kompetente, e mbështetur nga ekspertë ndërkombëtar, që do angazhoheshin nga LDK në këtë rast. Shumë miq (ekspertë ndërkombëtarë të fushës) janë të gatshëm ta ofrojnë përvojën e vet në këtë drejtim, nëse një gjë e tillë iu kërkohet!
Pse është e rëndësishme për LDK-në rreshtimi fitues në rastin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm?
Para se të hyhet në analizën e alternativave duhet ditur një gjë se vlera reale e përcaktimit të LDK është pesha që do jap fitorja në zgjedhjet presidenciale e kandidati të mbështetur, jo për këto zgjedhje, por për ato parlamentaret të pas një viti. Me një fjalë, ajo se si do pozicionohet LDK në këtë rast do jetë jo pak përcaktuese për fatin e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për LDK-në në këtë rast ekzistojnë tre rrugë; rruga e parë, mbështetja e një kandidati nga radhët e saj për president, rruga e dytë, krijimi i një aleance të gjerë politike dhe qytetare për një kandidat që do të vinte nga bota akademike ose civile dhe rruga e tretë do të ishte mbështetja e presidentes së tanishme (nëse ajo kandidon). Rrugët tjera do ta dëmtonin shumë LDK-në. T`i marrim më radhë rrugët e mundshme (politikisht të dobishme për LDK-në).
Rruga e parë, po ta sjellte rezultatin e duhur do ishte idealja për LDK-në. Por siç edhe mund të paramendohet kjo do të ishte e vështirë të arrihej (fragmentarizimi opozitar në njërën anë dhe unitarizmi i mazhorancës në anë tjetër, fragjiliteti i procesit zgjedhor).
Krijimi i një aleance politike (çdo parti opozitare parlamentare dhe jo parlamentare) dhe qytetare (OJQ, grupe interesi, qytetar), bosht i së cilës do të ishin LDK dhe AAK, aleancë e cila do të mbështeste një kandidat me profil jo politik, por me bagazh akademik apo qytetar të lakmueshëm, do të ishte jo vetëm garancë e fitores në zgjedhjet presidenciale, por edhe një parathënie për fitore në zgjedhjet e ardhshme politike.
Mbështetja e Presidentes Jahjaga do të mund të bëhej vetëm nëse do të dështonte varianti i dytë dhe me këtë nuk do të shfaqej forca reale elektorale e LDK-së (pasi në këtë rast kandidati nuk do të ishte i propozuar nga LDK, por do mbështetej edhe nga ajo). Kjo mbështetje do të mund të sillte pse jo edhe një kurs të ri (më kreativ) të miqve me banim të përhershëm në Arbëri karshi LDK-së. Është një përfundim logjik i pa shmangshëm, besoj!