Përdoruesit e rrjetit social “TikTok”, kryesisht të rinjtë janë duke u përfshirë në disa sfida e që shpesh janë të rrezikshme, duke lënduar vetën dhe të tjerët. Raste të tilla të lëndimit ka pasur në disa komuna të Kosovës.
Telegrafi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të kuptuar nëse ka raste të lëndimit në kryeqytet, por që të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë shifër por që apelojnë për kujdes.
“Policia e Kosovës është e fokusuar në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve andaj apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos platformës TikTok, e cila kohët e
fundit ka shpërndarë sfida që paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve. Kjo sfidë është një nxitje për të realizuar veprime përmes lojërave që mund të shkaktojnë lëndime dhe dëmtime të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Gjithashtu, Policia e Kosovës, kërkon mbështetjen e prindërve dhe komunitetit për të ndërgjegjësuar fëmijët dhe adoleshentët për rreziqet që mund të sjellë angazhimi i pjesëmarrjes në këto sfida.
“Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata në identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e
përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme.
Policia e Kosovës është e angazhuar në mbështetje të komunitetit dhe të rinjve për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale, dhe i bën thirrje çdo prindi dhe mësuesi të jetë i
vëmendshëm dhe të inkurajojë përdorimin e teknologjisë për qëllime pozitive dhe edukative”, vijon përgjigja e tyre.
Tutje, ata theksojnë “Super heronjtë nuk janë të vërtet kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën”./Telegrafi/