Telegrafi

Sfidat e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta

Fillimi i vitit të ri shkollor është pritur me shumë entuziazëm nga prindërit dhe fëmijët, por jo edhe për shumë prej prindërve  të fëmijëve me nevoja të veçanta të cilët nuk kanë mundësi të sigurojnë asistentë për të shoqëruar fëmijët gjatë procesit mësimor. Aktualish, disa vullnetarë janë ata që po u dalin në ndihmë disa prindërve me kushte më të vështira financiare.

Vleroni tashmë është bërë gjashtë vjeçar. Ai e fillon klasën e parë në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. Prindërit e Vleronit thonë se djali i tyre ka vonesë në zhvillim dhe është hiperaktiv.

“Unë si nënë kam vështirësi të shumta pasi së pari jam e pa punë  dhe burrin e kam pa punë. Kam pasur presion kur e kam pasur djalin në parashkollor pasi djalin e kam me vonesë në të folur. Kështu është shumë i dashur me nxënës dhe ka dëshirë të qëndrojë me fëmijë”, shprehet për RTV Dukagjinin Majlinda Gashi- prinde.

Këtë vit Ardea Çakmaku është asistentja vullnetare e cila ka zgjedhur ta shoqëroj Vleronin në shkollë vullnetarisht.

‘’Këtu ka pak nevojë për disa rregullime të themi për shkak se janë bërë disa veçime dhe ndarje për fëmijët me nevoja të veçanta, prandaj ne jemi këtu që të krijojmë një rreth shoqëror që i pranon ata pa marrë parasysh se kanë disa nevoja të veçanta”, deklaroi vullnetarja Ardea Çakmaku.

Leonora Shabani-Bajraktari, asambliste në Komunën e Prishtinës dhe Anëtare e Komitetit për Arsim në këtë komunë thotë se përzgjedhjen e këtyre vullnetarëve po e bënë privatisht .

“Për fat të keq Komuna e Prishtinës do të duhej t’i punësonte deri tani 12 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta por ende nuk e ka bërë këtë punësim.  Në vitin e kaluar ka ndodhur një gabim në linjat buxhetore kurse këtë herë sipas drejtoreshës janë kaluar procedura por për një kohë të gjatë është në zyrat e prokurimit në Komunën e Prishtinës dhe ende asnjë asistent nuk është punësuar”, deklaroi Leonora Shabani-Bajraktari.

Sipas Shabanit ky problem duhet të zgjidhet në nivel nacional pasi që me ligj, shteti i njeh ata si të barabartë me fëmijët tjerë, por sipas saj këta fëmijë nuk e kanë ndjerë ende dorën e shtetit./RTV Dukagjini/Telegrafi/