Pavarësisht nga problemet e fundit të politikës së brendshme kosovare, në arenën ndërkombëtare pozicioni i Kosovës është duke u konsoliduar gjithnjë e më shumë, sikurse dëshmuan suksesi i korrur me anëtarësimin në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë pak muaj më herët, si dhe afrimi drejt firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Mirëpo, në Kosovë këto hapa të jashtëzakonshëm të politikës së jashtme ngelen në hije pasi po mbizotëron një lloj mode apo fetishi kolektiv për të folur vetëm për njohje bilaterale, si i vetmi aspekt i politikës së jashtme që kinse ka rëndësi. Ka disa zëra publik sot që e shohin politikën e jashtme me arsyetim krejt naiv, duke folur me lehtësi për mungesën e njohjeve të reja të shteteve si të bëhej fjalë për shtimin e numrit të arsimtarëve apo rritjen e investimeve në infrastrukture që janë të varura drejtpërdrejtë nga vullneti apo performanca e ekzekutivit.
Politika e jashtme dallon shumë nga politika e brendshme dhe ka një kontekst konjuktural shumë më të ndërlikuar. Fal përpjekjeve të diplomacisë kosovare të asistuar nga ndihma bujare e shumë vendeve mike, është siguruar tanimë njohja e 108 vendeve që mund të konsideroheshin më të lehta e procesi ka hyrë në një fazë shumë më të vështirë me vende mos-njohëse që kanë pozicione më kokëforte. Numri i shteteve që janë anëtare të OKB-së është vetëm 193 (me anëtar të fundit Sudanin Jugor në 2011 dhe të parafundit Malin e Zi në 2006) dhe ky numër as nuk shtohet çdo vit dhe as këto vende nuk ndryshojnë në mënyrë radikale qëndrimet në politikën e jashtme çdo vit.
Një tjetër mit që qarkullon nëpër Kosovë e që lidhet me përpjekjet e brendshme për të instrumentalizuar sfidat ndërkombëtare të vendit, është pretendimi i rremë se kinse Kosova nuk njihet si pasojë e nivelit të lartë të korrupsionit apo problemeve me demokracinë. Faktikisht, nëse shikohen renditjet botërore qoftë të korrupsionit e qoftë të demokracisë, me përjashtim të pesë vendeve të BE-së, bie në sy që Kosovën e kanë njohur pothuaj të gjitha vendet që kanë nivel të lartë pra edhe ndjeshmëri për korrupsionin e demokracinë. Duhet kuptuar se përveç Serbisë asnjë shtet tjetër që nuk e njeh Kosovën nuk ka çështje të ngritur dypalëshe me ne si shkak të mosnjohjes, prandaj edhe përgjegjësia e shtetit të Kosovës për mosnjohjen nga një sërë shtetesh është minimale.
Kur vjen fjala për shkaqet apo motivet e mosnjohes së pavarësisë së Kosovës së pari bëhet fjalë për një grup vendesh që kanë probleme të brendshme etnike dhe që gabimisht mendojnë se njohja e pavarësisë së Kosovës mund të inkurajojë lëvizjet separatiste prej të cilave ndihen të kërcënuara. Një tjetër grup vendesh mosnjohëse i përkasin kampeve të tjera ideologjike dhe janë të shqetësuara për orientimin tonë të palëkundur pro-perëndimor drejt integrimit Euro-Atlantik. Këtyre vendeve u pengon ose acaron miqësia e përjetshme e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimor dhe duke mos na e njohur pavarësinë mbajnë një qëndrim gjeopolitik që nuk lidhet me Kosovën në vetvete.
Prapë lidhur me orientimin gjeopolitik, ka disa vende që mbajnë një politikë të jashtme konservatore dhe neutrale në arenën ndërkombëtare dhe nuk e njohin Kosovën pikërisht, sepse kanë përshtypjen e rremë që nëse e ndërmarrin këtë veprim janë duke u pozicionuar në favor të një krahu e duke u larguar nga tradita e paanshmërisë. Një tjetër grup është ai që mund të konsiderohet i miqve historikë të Serbisë ku përfshihen vende qe kanë solidaritet të mbështetur në përkatësinë sllave apo fetare apo vende të cilat trashëgojnë marrëdhënie të ngushta historike me Beogradin prej kohës së grupimit të vendeve të angazhuara të cilat e kanë pasur Jugosllavinë e Titos si një nder udhëheqëset e asaj nisme globale.
Sigurimi i njohjeve të reja padyshim që është e duhet të ngelet një prioritet i politikës së jashtme dhe faktikisht Kosova në këtë periudhë është afër disa njohjeve të reja, mirëpo ky aspekt nuk duhet të jetë qendror i politikës së jashtme dhe as nuk duhet ushqyer iluzioni se anëtarësimi në OKB i Kosovës varet vetëm nga njohjet.
Për t’u bërë anëtar nuk duhen veç njohjet por duhet medoemos të shmanget vetoja e fuqive permanente të Këshillit të Sigurimit sepse pa konsensusin e këtyre pesë fuqive as vende të mëdha e të fuqishme nuk kanë mundur të bëhen anëtare në të kaluarën. Republika Popullore e Kinës e shpallur në vitin 1949 ia doli që të bëhej anëtare e OKB-së vetëm në vitin 1971 pasi deri atëherë Kina përfaqësohej në OKB (përfshi këtu në vendin e anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit) prej Tajvanit.
Mirëpo, vetëm pas shkrirjes së akujve me SHBA-të pas vizitës së Niksonit në Kinë u bë e mundur që të sigurohej drita jeshile në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të mundësohej përfaqësimi i denjë ndërkombëtar i shtetit me popullsinë më të madhe në botë. Interesante ka qenë se rezoluta për anëtarësimin në OKB është iniciuar asokohe nga Shqipëria dhe po ashtu në mungesë të njohjes së plotë ndërkombëtare për një kohë të gjatë shumë anije tregtare kineze lundronin nëpër portet e botës me flamur shqiptar. Edhe Republika Federale Gjermane e krijuar në vitin 1949 mundi të bëhej anëtare e OKB-së vetëm në vitin 1973 pasi u bind edhe blloku lindor komunist më konkretisht BRSS që të mos vendoste veton nëpërmjet pranimit të anëtarësisë në të njëjtin moment edhe të Republikës Demokratike të Gjermanisë.
Në vitet ‘50-të forca e vetos së anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit u sfidua pas një numri të madh vetosh të dhëna në atë periudhë, mirëpo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi si të pakapërcyeshme këtë veto. Një tjetër orvatje për të anashkaluar forcën e vetos ka qenë rezoluta 377 e quajtur “Bashkimi për Paqe” që synon transferimin e autoritetit tek Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nëse Këshilli i Sigurimit nuk bie në një mendje. Kjo qasje është përdorur 12 herë, mirëpo shpesh pa ndonjë rezultat të madh siç e tregoi përdorimi nga kampi perëndimor për të dënuar pushtimin e Afganistanit nga sovjetikët por ndërkohë që Moska nuk ia vërshëlleu fare kësaj përpjekje dhe vazhdoi me kokën e vetë.
Me pak fjalë për anëtarësimin e Kosovës në OKB nevojitet miratimi ose së paku abstenimi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Vite më parë Rusia ka pasur rol shumë konstruktiv e ka qenë pjesë e proceseve kryesore që çuan Kosovën drejt pavarësinë mirëpo ndryshimi i kursit që ndodhi në politikën e Moskës si dhe acarimi aktual i marrëdhënieve me perëndimin si pasojë e krizës së Ukrainës lë të kuptohet se kalimi i pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit ka për t’u vonuar goxha. Kosova mundet ndërkohë që të përpiqet të integrohet gradualisht në sistemin e OKB-së duke u anëtarësuar në organizatat e specializuara të OKB-së (si psh. FAO, WHO, UNDP, UNESCO, UNHCR, UNICEF etj) për të cilat në shumicën e rasteve kërkohet miratimi i 2/3-ave të anëtarëve.
Megjithatë çështja e sigurimit të ulëses në OKB nuk duhet të na kthehet në një ankth paralizues që devijon vëmendjen nga të tjera mundësi që ofrohen në arenën ndërkombëtare. Anëtarësimi në OKB është një qëllim final i shtetësisë mirëpo një shtet mund të jetë me prosperitet e funksional në arenën globale edhe pa qenë anëtar i OKB-së. Zvicra vendosi të bëhet anëtare e OKB-së vetëm në vitin 2002 ndërkohë që Tajvani sot njihet si shtet vetëm nga 22 vende e prapëseprapë është ndër 20 ekonomitë më të fuqishme të botës.
Me pak fjalë, sfidat dhe arritjet e diplomacisë kosovare nuk duhet parë në mënyrë sipërfaqësore e të thjeshtëzuar vetëm në numrin e njohjeve sepse sikurse u sqarua më sipër ato varen kryesisht nga të tjera konjuktura e rrethana, por duhen parë edhe në dimensione të tjera. Faktikisht edhe pse nuk e njohin Kosovën falë lobimit intensiv është bërë e mundur që një pjesë e mirë e vendeve mosnjohëse të binden që të votojnë pro anëtarësimit ne organizata ndërkombëtare ndërqeveritare, ndërsa një pjesë e mirë tjetër është bindur që të abstenojë. Për shembull në rastin e anëtarësimit në Organizatën e Frankofonisë votuan pro 21 vende që nuk na njohin.
Po ashtu tregues suksesi janë thellimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve me vendet që na njohin, dendësia dhe niveli i vizitave bilaterale, sasia dhe llojet e marrëveshjeve të nënshkruara etj, Mandej fusha specifike të politikës së jashtme si diplomacia publike dhe ajo ekonomike janë jo-materiale, kanë shpesh dimension simbolik dhe janë të vështira për t’u matur numerikisht. Po ashtu duhet parë dimensioni multilateral , marrëdhënia me organizatat ndërkombëtare dhe procesi i anëtarësimit në to.
Konkretisht, në kuadër të axhendës multilaterale sot disa nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme që kanë më shumë impakt në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës janë firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, liberalizimi i vizave, Këshilli i Evropës dhe Partneriteti për Paqje me NATO-n. Prandaj idealja për një vend si Kosova do të ishte që duke pasur parasysh sfidat e nevojat e mëdha të mos përzihet axhenda e brendshme politike me axhendën e politikës së jashtme. Pluralizmi i brendshëm politik si dhe konkurrenca e debatet mes palëve janë më së të dobishme e shëndetshme mirëpo kur vjen fjala për politikën e jashtme, për mbrojtjen dhe promovimin e interesit shtetëror, duhet të mbizotërojë një mbështetje dhe konsensus i mirëfilltë nga të gjitha palët dhe duhet të shmangen instrumentalizimet meskine për konsum të brendshëm të politikës ditore.