Site icon Telegrafi

Sfidat e një populli fatkeq

Po të ndalemi dhe ta korrigjojmë kohën që nga vitet e ‘50-ta e këndej dhe të kërkojmë arsye se pse kjo liri e vonuar që po e gëzojmë sot, nuk ka ardhur më herët se sa në vitin 1999. Edhe përkundër vështirësive të mëdha që do t’i përjetonim, jo nga ana e lodhjes së madhe që do të na shkaktonin hulumtimet, sepse ekzistojnë me qindra e mijëra dokumente për ta treguar arsyen dhe të vërtetën. Madje kemi edhe protagonist të vet asaj kohe me privilegje të mëdha që kishin në regjimin e asaj kohe. Pra kishte protagonist të shumtë dhe vasalet të përkëdhelur të regjimit të atëhershëm serb, të cilët me bindje të thellë dhe përplot ambicie për të qenë të pushtetshëm, bënë ta nëpërkëmbnin popullin e vet sikur të ishte leckë. Jo vetëm se nuk ua lehtësonin vuajtjet bashkatdhetarëve të tyre, si njerëz të pushtetshëm, por me vetëdije të plotë ishin munduar t’i hidhnin sa më thellë në humnerën që kishin përgatitur me ardhjen e këtyre në pushtet si vasal të regjimit, që nga vitet ’70-ta, sidomos atyre të ’80-ta, njëri pas tjetrit.

Në atë kohë vetëm sa kishte filluar të qetësohej pak situate nga demonstratat e ’81-shit, demonstrata këto që kishin sjellë shumë viktima e të burgosur, vetëm e vetëm pse i kërkonin të drejtat e tyre të mohuara nga regjimi serb. Shqipfolësit e kësaj etape që emëroheshin në detyrë, këto demonstrata i kishin quajtur si kundërrevolucionare. Ata nuk ishin ndalur vetëm me kaq, pos që ishin munduar ta mohonin dhe njëkohësisht ta ndalonin përpjekjen për liri të bashkëkombësve të tyre. Ishin munduar me çdo kusht ta ndalonin dhe ta ndryshonin Flamurin Kombëtar Shqiptar, gjë që e bënë për një kohë.

Poashtu sa ishin në pushtet papunësia kishte arritur kulmin, e gjithë ky fakt në saj të tyre. Ata gjithashtu kishin vazhduar me avazin e të bërit keq vendit të tyre, dhunshëm duke ia ndërruar emrin institucioneve të Kosovës, të cilat sapo kishin filluar të merrnin rrugë për të mirë me gjithë vështirësitë që kishin,duke ia ndërruar emrin Universitetit, nga ai i Kosovës, në atë të Prishtinës, njëkohësisht kishin urdhëruar që të bëhet spastrimi i studentëve dhe mësimdhënësve të Universitetit të Kosovës, duke e reduktuar numrin e tyre më shumë se përgjysmë. Kishin bërë përpjekje që t’ua vënin në pikëpyetje zërin e bashkëkombësve të tyre, duke ua cenuar të drejtën e aktiviteteve.

Edhe pse këta shpirtkazmë me gjak shqiptari i shërbenin në mënyrë të denjë regjimit serb si vasal. Po ky regjim, ashtu qysh e ngriti dhe e bëri të pushtetshëm për një kohë. Poashtu po ky regjim u bëri kurth dhe e futi në burg, vetëm atëherë kur nuk ju deshën më ta luajnë rolin e ushtarit e padhembshëm dhe të padobishëm për ta.

Ndërsa sot disa prej tyre që ende janë gjallë dhe veprojnë në vendin e tyre, që dikur u munduan ta transformojnë në një oazë të sllavëve, krenohen me atë që kanë bërë në epokën e tyre, nëse me lejohet ta quaj kështu, sepse vërtet ishte epoka e tyre. Dhe në ndërkohë e kanë shumë të lehtë të bëjnë analiza dhe komente rreth çështjes së Kosovës në shumë aspekte që na ndërlidh negativisht me regjimin, të cilit i përkisnin ata. Prandaj edhe mund të jenë të saktë në analizat e tyre!?.

Gjatë luftës në ’98-ën babain tim e patën zënë policia serbe me shumë bashkëfshatar dhe i kishin dërguar në stacionin e policisë së Deçanit, ku kish pas qëlluar të jetë një ish nxënës serb, gjeneratë e tij. Shkollimin fillor e të mesëm e kishin përfunduar bashkë në gjimnazin, dikur “Petar Perla”, e tash “Sami Frashëri” në fshatin Irzniq. Dhe ai polici iu kishte drejtuar babait tim: “Të kujtohet Ramiz sa shpullat mi ke dhënë në shkollë”, ndërsa babai im ia kishte kthyer: “Atëherë ka qenë koha ime, kurse tash është e jotja”. Dhe a mund t’ia qëlloni se si ia kishte kthyer përgjigjen polici babait tim: “Unë nuk e ha atë mut”. Pra ka ra ai dhe e kanë liruar babain tim me shume bashkëfshatarë të tjerë, ndryshe mund tu kushtonte me jetë. Andaj nuk mund të aludojmë se në një komb mund të jetë i tërë populli i keq, por ka individ të këqij, me qëllimet e tyre prej diktatori që çojnë popullin në barbarizëm dhe në sfida me fatalitet.

Exit mobile version