Site icon Telegrafi

Sfida të vështira për Prishtinën dhe Pejën

Sigal Prishtina do ta mirëpresë të mërkurën skuadrën nga Izraeli, Galil Gilboan, e cila njëherësh është edhe kampione aktuale e Ligës Balkanike. Bardhekaltërit janë stërvitur maksimalisht gjatë këtyre ditëve për të shënuar një fitore të madhe, e cila do ta mbante gjallë shpresën për dy pozitat e para. Synim të njejtë kanë edhe izraelitët të cilët do të tentojnë të fitojnë me çdo kusht për ta siguruar kualifikimin në play-off për të tretin vit radhazi.

Sigurisht se për këtë super-ndeshje palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të jetë e stërmbushur, kështu që mund të presim një ndeshje të vërtetë basketbolli mes këtyre dy skuadrave.

Në anën tjetër, skuadra tjetër kosovare, Peja, ka udhëtuar për në Bullgari ku të mërkurën do të ndeshet me liderin aktual të Ligës Ballkanike, BC Levskin.

Levski është në një formë tejet të mirë dhe është në kërkim të fitores së katërt me radhë në vitin 2014. Bullgarët kanë një ecuri të mirë prej tri fitoreve radhazi duke bërë kthime në rezultat në çerekun e fundit, mirëpo kësaj radhe do të mundohen ta përfundojnë lojën më herët. Peja natyrisht se do të mundohet t’i befasojë ata dhe të shënojë fitore, mirëpo edhe nëse humbin përsëri do të kenë mundësi të shkojnë në play-off.

Të dy ndeshjet do të zhvillohen të mërkurën me fillim nga ora 17:30. Ndeshjen mes Sigal Prishtinës dhe Galil Gilboas mund ta ndiqni drejtpërdrejt në RTK, kurse ndeshjen mes Levskit dhe Pejës në kanalin zyrtar të Ligës Ballkanike, Sportmedia.tv.

Takimet e kaluara mes këtyre dy skuadrave

Galil Gilboa e kishte mposhtur skuadrën e Sigal Prishtinës në Izrael me rezultat 71-66, ndeshje të cilën e fituan me shumë fat pasi skuadra bardhekaltër luajti vërtetë bukur, por i mungoi fati.

Edhe Levski e ka mposhtur Pejën si vendase në palestrën “Karagaçi”. Kjo ndeshje kishte përfunduar me rezultat 78-86. /Telegrafi/ 

Exit mobile version