Site icon Telegrafi

Sfida që ka aktivizuar të gjithë, qytetarët në mbarë botën po pastrojnë lagjet e tyre – imazhe para dhe pas aksioneve (Foto)

Tashmë jemi mësuar të shohim sfida të ndryshme nëpër rrjetet sociale, në të cilat në masë të madhe marrin pjesë të rinjtë nga e gjithë bota ku shtiren si të vdekur, kërcejnë nga veturat në lëvizje gjë që është shumë e rrezikshme për jetën e tyre, por sfida që fundjavën e kaluar u përhap në masë të madhe, është një veprim shumë i qëlluar.

Sfida online që inkurajon përdoruesit e rrjeteve sociale anembanë botës ta pastrojnë ambientin nga mbeturinat e shumta, ka bërë që dhjetëra mijëra njerëz ta shndërrojnë lagjen ku jetojnë në “parajsë”, transmeton Telegrafi.

Sfida e quajtur “Trashtag Challenge” nënkupton që përdoruesit duhet të pastrojnë rrugët apo lagjen ku jetojnë e që është mbuluar nga mbeturinat, dhe më pas të postojnë fotografi para dhe pas pastrimit.

Kështu dhjetëra mijëra vullnetarë kanë pastruar plazhet, parqet, rrugët dhe shumë hapësira tjera të mbuluara nga mbeturinat, e të njëjtën kohë kanë sensibilizuar opinionin me sasinë e madhe të plastikës që e prodhojnë dhe që në masë të madhe po e shkatërron ambientin.

Kjo sfidë është shpërndarë në masë të madhe në rrjetet sociale, kurse njerëzit nga vende të ndryshme të botës kanë vendosur t’i përgjigjen pozitivisht ftesës. Fotografitë para dhe pas pastrimit shpërndahen në Instagram, Twitter dhe Facebook.

Një grup nga Novosibirsku i Rusisë kanë njoftuar se kanë mbledhur thasë të mëdhenj më mbeturina, ku 75 për qind prej tyre do të dërgohen për riciklim.
Kjo sfidë në fakt ekziston që nga 2015, si pjesë e një fushate për rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit ku jetojmë, por që nga java e kaluar është bërë virale.

Vetëm në Instagram janë bërë mbi 25 mijë postime sa i përket kësaj sfide, kurse është bërë thirrje që fundjavat t’i kushtohen ekskluzivisht pastrimit të ambientit.
Fotografitë para dhe pas pastrimit shfaqin dallimet e mëdha, kurse kjo sfidë ka dëshmuar se nevojitet një mobilizim që të gjithë t’i bashkohen aksionit që i kontribuon njerëzimit. /Telegrafi/

Exit mobile version