Site icon Telegrafi

Sfida për të gjetur një kryetar të duhur të Prishtinës

Kryetari i cili do të fitojë besimin e qytetarëve duhet t’i shuaj klanet krahinore që kanë mbytur demokracinë dhe shërbimin për qytetarët, klane që kanë krijuar struktura të forta të korrupsionit në çdo segment, duke filluar nga kontratat me ndërmarrjet e ndryshme, tenderët për infrastrukturë dhe gjithçka tjetër, pronën publike, lejet e ndërtimit, shërbimin e inspeksionit dhe segmente të tjera.

Me një qese mbeturina në gojën e tij ai po vraponte qendrës së qytetit. Po të ishte në ndonjë vend perëndimor ata që e shikonin do ta fotografonin me celularët e tyre, ndërsa nëse do të rastiste ta shihte ndonjë kameraman do ta shfaqte në TV ose në ndonjë dokumentar. Ndërsa në kryeqytetin e Kosovës askujt nuk i bënte përshtypje një pamje e tillë, ku një qenë endacak bart mbeturinat me gojën e tij.

Por në qytetin e Prishtinës mbeturinat në çdo cep nuk janë problemi i vetëm me të cilin nuk merret askush. Rrugët qendrore të qytetit mbrëmjeve nuk janë të ndriçuara për faktin që përgjegjësit për mirëmbajtjen e tyre duket se kanë punë më të “meçme”, një dritë e ndezur dhjetë të fikura, një ndriçim që më shumë i ngjan qyteteve të Çeçenisë së shkatërruar nga lufta.

Pluhuri që ngrihet kudo të ngjyrosë rrobat e trupit, ndërsa nëse goja hapet do të të kërcasin dhëmbët për shumë kohë nga gurët e vogël, përderisa qepallat e syrit të rëndohen. Rrugët në qytet janë të mbushura me gropa nga më të ndryshmet, përderisa prerjet e shumta të rrugëve nuk i mban mend askush. Këto prerje kanë një përgjigje nga përgjegjësit; “rrugët janë prerë dhe presin “arnuesit” “.

Zgjedhjet lokale që pritet të mbahen janë një mundësi e mirë që qytetarët e Prishtinës të zgjedhin një kryetar të mirë për të ju shërbyer, për të krijuar rend dhe rregull në qytet. Një kryetar komune i cili do të menaxhoj mirë me shërbimet publike dhe ato komunale.

Kryetari i cili do të fitojë besimin e qytetarëve duhet t’i shuaj klanet krahinore që kanë mbytur demokracinë dhe shërbimin për qytetarët, klane që kanë krijuar struktura të forta të korrupsionit në çdo segment, duke filluar nga kontratat me ndërmarrjet e ndryshme, tenderët për infrastrukturë dhe gjithçka tjetër, pronën publike, lejet e ndërtimit, shërbimin e inspeksionit dhe segmente të tjera. Kryetari i zgjedhur duhet të largoj nga stafi shumicën e drejtorëve aktual të departamenteve komunale, drejtorët e ndërmarrjeve komunale dhe kthimin e rregullit në arsimin komunal, shëndetësinë dhe shërbimet tjera.

Pa largimin e këtyre drejtorëve të korruptuar dhe të dështuar nuk mund të pritet kthimi i rregullit në qytet dhe në shërbimet vartëse. Një kryetar komune me përvojë të dëshmuar, i gatshëm për të marrë vendime të forta dhe i guximshëm për të ju qasur të gjitha sfidave dhe aq shumë problemeve me të cilat ballafaqohet sot Prishtina, do të mund të krijoj rregull dhe stabilitet, sikur edhe shërbime efikase për qytetarët.

Ju mund të thoni përse bëhen gjithë këto vërejtje? Fakti që zgjodhëm kryetarin me votat tona dhe nuk kemi asnjë ndryshim nga udhëheqja e kaluar, dëshmon që neve duhet t’i lëmë anash lokalizmat, t’i lëmë anash votat për anën partiake dhe gjithashtu besimin vetëm në “profesor i nderuar” apo të tjera. Është vështirë të ndajmë suksese për periudhën më shumë se një vjeçare të kryetarit Isa Mutafa.

Sot sikur më parë kemi burokraci dhe shërbime jo-efikase komunale, shërbime publike të nivelit të ulët: transport publik, ujin e pijes, larjen e rrugëve, ndriçimin publik dhe shumë shërbime të tjera, dështim total në realizimin e planeve urbanistike, ndërtime ilegale të shtuara, uzurpim të pronave publike, sot kemi favorizim të bizneseve selektive dhe dhënie të lejeve të ndërtimit për ta vend dhe pa vend (lexo “Beni Dona”, ndërtimi në Ulpianë dhe “Rings” përballë ndërtesës së KEK-ut), ndarjen e banesave pa kritere. Pra, faktet na shtyjnë të mendojmë se na duhet një qasje tjetër, një qasje që ka të bëjë me interesin e jetës sonë të përditshme.

Shoqëria civile mund të luaj një rol të rëndësishëm për të vetëdijesuar votuesit, ata kanë nevojë të informohen drejt se çka kërkon ky qytet. A të zgjedhin një kryetar sikur tre të deritashmit? Apo të zgjedhim një kryetar që punën dhe përkushtimin e tij e ka qytetarin dhe interesin e tij!

Shoqëria civile duhet të luajë një rol të rëndësishëm edhe për të hulumtuar të kaluarën e kandidatëve, përkushtimin për qytetin, pasurinë e tyre (prejardhjen e saj), reputacionin e tyre te qytetarët, komunitetin e artistëve, nxënësve dhe të tjerëve. Por, e kaluara duhet të hulumtohet dhe të publikohet gjithsesi edhe për të propozuarit për anëtar të kuvendit të komunës. Kjo për faktin që sot kemi anëtarë të komunës me të kaluar të dyshimtë, pa reputacion te qytetarët, anëtar që qytetari është interesi i tyre i fundit, uzurpues të pronave publike, ndërtues të rrokaqiejve pa leje dhe marifetllëqe të tjera, që në asnjë mënyrë nuk meritojnë të jenë përfaqësues të qytetarëve.

Kryetari i komunës në veçanti, koalicioni aktual dhe anëtarët e kuvendit në përgjithësi kanë dëshmuar se nuk ju bëhet vonë për asgjë. Filluan me rrënimin e ndërtimeve pa leje dhe nuk i rrënuan, filluan me identifikimin dhe stopimin e ndërtimeve pa leje të reja dhe e ndalën, nuk harmonizuan legjislacionin, duke e shkelur ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe deklaruan se presin ligjin për Prishtinën, ani pse legjislacionin me të cilin punon komuna i ka kaluar afati para më shumë se një viti.

Është koha që të kemi një kryetar komune komunikues dhe një staf tjetër të pastër dhe bashkëpunues. Injoranca dhe mospranimi i realitetit nuk i bënë nder besimit të dhënë nga ana e qytetarëve.

(Autori është drejtor ekzekutiv në OJQ Mileniumi i Ri në Prishtinë)

Exit mobile version