Në çdo cep të viseve shqiptare, vërehen lecka, hedhurina nga të gjitha llojet, pa lënë anash as qelbësirat dhe ujërat e zeza. Vizitorët e huaj kur rastisin t’i vizitojnë qytetet e shqiptarëve, i mbyllin hundët nga kundërmimi i mbeturinave dhe kthehen me përshtypjen e keqe për mos pastërti.
Rrugët me gropa e të përbaltura, leckat përgjatë trotuareve, kontejnerët e mbushur nga brenda dhe të rrethuara nga jashtë, posaçërisht gjatë ditëve të tregut, janë treguesi më i qartë se shqiptarët kudo që janë kanë një armik të përbashkët: bërllokun.
Bërlloku shqiptar është bërë problem ndërkombëtarë. Askush nga shqiptarët nuk e lufton këtë armik me patriotizëm. Të gjithë i mbyllin hundët nga armiku bërllok dhe kalojnë pranë tij kokulur, pa u bezdisur fare. Ndërkombëtarët i këshillojnë shqiptarët, që mos të presin ndihmën evropiane e amerikane, për t’ua pastruar oborrin nga mbeturinat, të cilat vetë i prodhojnë.
Gjithkund të kap syri bërllok. Bërllok në rrugë, në sheshe, në trotuare, përskaj lumenjve, fushave e maleve. Bërllok në qytete në fshatra, në komuna, madje bërllok edhe në qeveri. Me një fjalë shqiptarët i kanë punët bërllok…
Bërllok, bërllok e vetëm bërllok e askush nuk e merr përgjegjësinë për pamjet e shëmtuara e të vendbanimeve shqiptare.
Qytetarët nuk mbajnë mend kur për herë të fundit të janë pastruar rrugët me ujë, apo është shpallur ndonjë aksion për gjelbërimin e rrugëve anësore. Një qytet pa parkingje, me kontejnerë jo të rregulluar mirë, me rrugë të papastra dhe jo të ndriçuara sa duhet, paraqesin një rrezik për ekologjinë dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Shqiptarëve në njëfarë mënyre u është mbushur koka bërllok. Nëpër takime të ndryshme lokale, rajonale e ndër-rajonale, me gojën plot kritikojnë mentalitetin e mbrapsht shqiptar, për mos mbrojtjen e ambientit nga rreziku i quajtur bërllok. Nëpër këto takime e forume, jepen leksione se si duhet ta luftojnë bërllokun e nga ana tjetër ata vet e ushqejnë pa ndonjë kriter.
Po a bëjnë shqiptarët bërllok nëpër Evropë dhe botë?! Jo, kurrsesi jo! Atje shqiptarët nuk e njohin bërllokun si fenomen. Këtë kulturë e kanë arritur në saje të disiplinës, rregullit dhe pastërtisë, të cilën ia servuar shteti ku jeton. Kjo të jep me kuptua se ne shqiptarët njëherë duhet të institucionalizohemi ashtu siç duhet, e pastaj të sillemi si evropianët e amerikanët edhe në tokat tona të mbushura bërllok.
Zgjidhja më fatlume për ta luftuar njëherë e mirë bërllokun, gjendet të institucionet përkatëse, të cilat janë të regjistruara për t’u ofruar shërbime komunale qytetarëve shqiptarë në shkallë vendi dhe rajoni.
Këto institucione duhet të pajisen me fonde buxhetore dhe struktura profesionale kuadrovike etj. pastaj duhet t’ju ofrojnë qytetarëve shqiptarë programe konkrete, projekte të cilat atyre u sigurojnë pastërtinë.
Me integrime evropiane nuk kuptojmë vetëm flakjen e ndasive etnike, problemeve ndëretnike, korrupsionin, por edhe bërllokun. Pra, Evropa nuk na do me konflikte, e as me problemin e bërllokut.
Faktorët ndërkombëtarë po mundohen të na këshillojnë dhe të na ndihmojnë për ta krijuar një ambient të shëndosh dhe për ta përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve shqiptarë. Mirëpo, projektet e kësaj natyre të japin me kuptuar se në një të ardhme jo të largët integrimet evropiane do të na kushtëzojnë edhe me fenomenin e quajtur “bërllok”.