Nëse keni dyshim se cilën fotografi duhet ta publikon në Facebook apo Instagram, mund ta mësoni duke i shikuar kolazhet e fotografive të yjeve dhe personaliteteve të njohura botërore dhe vendore, të cilën janë frymëzuar nga Dolly Parton.
Këngëtarja e muzikës ‘country’, e cila i ka mbushur 74 vjet, i ka publikuar në Instagram katër fotografi të saja duke treguar dallimin ndërmjet profileve të përdoruesve në rrjetet sociale – Linkedin, Facebook, Instagram dhe Tinder.
Në këtë mini-galeri, e cila u bë menjëherë hit në internet, veterania e muzikës zgjodhi veshje punë për prezantim në Linkedin, dukje më të relaksuar për Facebook, veshje trendi për Instagram, ndërsa për Tinder e ka zgjedhur një fotografi nga pozimi i saj për Playboy në vitin 1978.
Fansat e saj kanë reaguar menjëherë me komplimente, ndërsa yjet anekënd botës janë frymëzuar nga ky postim duke bërë publikime të ngjashme në profilet e tyre në rrjetet sociale.
Përjashtim nuk bëjnë as personalitetet e njohura të skenës sonë muzikore dhe ekranit, të cilët kanë bërë përmbledhje foto-profilesh të prezantimit të tyre të ndryshëm në katër rrjetet e përmendura sociale. /Telegrafi/