Site icon Telegrafi

Sfida e një (audio) libri të “vështirë”: Aktori që solli 120 karaktere në jetë

“JR” është një satirë 700-faqëshe e kapitalizmit, që ka 120 personazhe që flasin me thonjëza të paatribuuara. Është cilësuar si vepër “palexueshme”. Në anën tjetër, Nick Sullivan na rrëfen se si u kaptua nga ky roman. Pjesë të shkrimit të gazetarit Andrew Male, të publikuar në “Guardian”, Telegrafi sjell më poshtë.

Në dimrin e vitit 2009, Nick Sullivan merr atë që do të jetë porosia më sfiduese në jetën e tij. “Ma dërguan një kuti stërmadhe kartoni”, thotë aktori dhe narratori i audio-librave. “Ishte kjo koha para se të digjitalizoheshin librat. Më thanë se kërkon shumë punë dhe se kam kohë aq sa dua unë për t’u marrë me të. Oh, thash me vete, qenka diçka e pazakontë. Kështu, hyra në internet dhe zbulova gjithçka rreth ‘JR’-së”.

I shkruar nga modernisti i ndjerë i lindur në Manhatan, William Gaddis, “JR” u botua më 1975, 20 vjet pas romanit të parë të madh të autorit, “The Recognitions”, por u ballafaqua me konfuzion, zemërim dhe indiferencë. “JR” na tregon historinë e JR Vansantit, një djali 11-vjeçar në Masapeka të Nju-Jorkut i cili – në më shumë se 700 faqe – grumbullon një perandori të madhe dhe të korruptuar financiare, teksa të vjetrit rreth tij përplasen dhe luftojnë.

Gaddisi, i cili ka thënë se “JR” ishte “koment mbi sistemin e lirë [amerikan] të ndërmarrësisë që po del nga kontrolli”, i kaloi 15 vjet duke e shkruar librin me financim nga grantet e artit dhe puna e tij si PR i gjigandëve të korporatave. Edhe një herë, kritikët e shumtë e njollosën. “New York Times” e konsideroi si libër që “trullos”; “New Yorker” si “të palexueshëm”. Por, ai e fitoi Çmimin Kombëtar të Librit, megjithëse rrallë mblodhi shumë lexues. Edhe Jonathan Franzen, në një artikull të vitit 2002 që u përpoq të ringjallte interesin për punën e Gaddisit, e përshkroi “JR”-në si “të ftohtë, mekanik dhe rraskapitës”. Ai donte të thoshte se autori nuk e kishte përfunduar kurrë si vepër.

Atëherë, si e ka parë Sullivani që ka qenë në punën e audio-librave tash e 25 vjet?

“Nuk shkoni shumë larg me ‘JR’-në”, thotë ai, “për të kuptuar se është thuajse i tëri i shkruar në dialogje të paatribuare. Ekziston një skenë në fillim, e vendosur në zyrën e një drejtori të shkollës, ku diçka si pesë personazhe flasin njëkohësisht. Është kjo kakofoni e zërave”.

Në të vërtetë, rreth 90 për qind e “JR”-ë është dialog i paatribuar, vetëm me linja dhe elipsa për të treguar se kur një karakter fillon dhe ndalet së foluri ose, më saktë, kur ndërpritet. Edhe pse herë pas here shënohen ndryshimet e skenave, “JR” është një potere, një satirë anarkike për kapitalizmin amerikan ku zërat e më shumë se 120 karaktereve – plus reklamat, buletinet e lajmeve dhe transmetimet televizive – vijnë poshtë njëri-tjetrit. Nuk ka ndërprerje kapitujsh, asnjë ndërprerje të pjesëve, veç komplote brenda komploteve dhe tema brenda temave, pasi anti-heroi shkollor gradualisht krijon një portofolio të madh dhe, në këtë proces, e shkatërron jetën e njerëzve përreth tij.

“Kur e bëni narracionin e një audio-libri”, thotë Sullivani, “teksa punoni në libër gjeni zëra për personazhet. Në këtë rast, kjo ishte e pamundur. Kisha nevojë të dija paraprakisht se kush ishin të gjithë ata”. Duke përdorur ueb-faqen e quajtur williamgaddis.org, e cila ndau “JR”-në në skena të përcaktuara nga hyrja dhe dalja e secilit personazh, Sullivani punoi në grumbullin e madh të faqeve, duke shënjuar me ngjyra secilin prej 50 personazheve kryesorë dhe duke skicuar biografitë e tyre.

“Normalisht”, thotë Sullivan, “mund të përgatis një libër brenda dy ose tre ditëve. Por, kam punuar me ‘JR’-në për një muaj e gjysmë”. Sidoqoftë, gjatë këtij procesi romani kuptohej, sepse një listë e artistëve që mezi mbijetojnë, e mësuesve të lodhur të shkollave, financuesve të korruptuar, artistëve mashtrues dhe të degjeneruarve… gradualisht merrnin formë përmes sjelljes dhe tërbimit verbal.

“Është një nga librat më të mirë që kam hasur ndonjëherë, sa i aspektit të përkthimit të tij në audio”, thotë ai. “Kështu që shumica e tij është atje, në mënyrën fonetike me të cilën Gaddisi ka shkruar dialogjet. Ndonjëherë kishte fjali të gjata, shumë të gjata, e ju e kuptonit shumë vonë se cili personazh fliste. Por, sapo u futa në të, po hyja te secili personazh, te të gjitha zhgënjimet dhe ëndrrat e tyre të parealizuara”.

Ekziston një çmenduri piroteknike tek “JR”-ja, një polifoni komike me zëra të hutuar dhe bashkëshoqërues, ku të gjithë mërmërisin gjithnjë e më shumë drejt entropisë dhe kolapsit. “Kjo punë më konsumoi”, thotë Sullivan. “Mund të shkoja në audicion për ‘Law & Order’, por merresha me një nga skenat e Gaddisit, teksa duhej të shikoja fjalitë e mia. Libri rrjedh nga një skenë në tjetrën, në një përrua të tillë ku është e pamundur të bësh një pushim. I refuzova ofertat e punës që të mund të qëndroja në shtëpi dhe të punoja tek ‘JR’-ja”.

Sullivan e kuptoi se donte të rrinte gjatë e më gjatë në dhomën e incizimit. “Nuk ishte shumë argëtuese të jesh aty. Është një personazh i quajtur Jack Gibbs që gjithmonë tingëllon i rraskapitur. Kështu që ndonjëherë do të lexoja deri në orën tre të mëngjesit, derisa lodhesha, sepse e dija se do të tingëlloja si Gibbsi. Kur mbaroi gjithçka, qava”.

Kur leximi 37-orësh i Sullivanit u lansua në vitin 2011, prapë kishte pak jehonë. Por, me kalimin e viteve, ka grumbulluar një bazë të qëndrueshme lexuesish. Ky numër ka shumë gjasa të rritet tani, pasi “JR” është ribotuar nga “New York Review of Books Classics”, bashkë me versionin e Sullivanit. Tash vet si një shkrimtar, Sullivani vazhdon të merret me Gaddisin dhe e ka dhënë zërin e tij për pesë veprat e tij të fundit. Por, vazhdon ta konsiderojë “JR”-në si punën më të dobishme që ka bërë ndonjëherë.

Vepra tashmë po njihet edhe si roman i madh amerikan, e shumë e mendojnë si të tillë. Sullivani mendon se ka ardhur koha për të. “’JR’ ka të bëjë me zhurmën e jetës së përditshme”, thotë ai. “Nuk kam asnjë dyshim se nëse ai do ta kishte shkruar sot, do të kishte shpenzuar një të katërtën e librit duke u marrë me mediat sociale. Edhe unë nuk lexoj më për qejf. Në vend që të futem në shtrat dhe të lexoj Steinbeckun, jam duke parë Facebook-un dhe duke lëvizur nëpër lajme. Jam i sigurt se Gaddisi do të më shkelmonte nga varri po ta dinte këtë”. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version