Rrugë të tëra me baltë dhe gropa të mbushura me ujë, e vështirësojnë lëvizjen e banorëve të fshatit Mateç të Komunës së Likovës. Rruga kryesore e këtij fshati është në gjendje shumë të keqe për shkak se kohë më parë kishte filluar vendosja e kanalizimit, e cila nuk ka përfunduar ende. Vazhdimësia e kësaj rrugë të shpie drejt shkollës së fshatit, pra fëmijët janë ata të cilët më shumë pësojnë nga kjo gjendje.
Banorët ankohen se e kanë shumë të vështirë të kalojnë nëpër këtë pjesë, por e kanë të domosdoshme për shkak se ajo është rrugë kryesore dhe aty gjendet edhe shkolla. Të njëjtit thonë që ky projekt ka kohë që ka filluar dhe shprehen shumë pesimistë nëse i njëjti do të përfundoj së shpejti.
“Vetë jeni duke i parë rrugët se si janë, rrugët janë shumë keq dhe as qe dihet kur do të përfundojnë. Tash janë zgjedhjet, mundohen të bëjnë diçka, por pas zgjedhjeve më nuk ka asgjë, do mbes kështu”, thotë njëri nga banorët.
“Nuk e di se çfarë janë duke bërë së pari partiakët…rrugën jeni duke e parë edhe vetë, nuk mundemi me kalu as me vetura, as nxënësit nuk munden në shkollë të shkojnë prej ujit ose baltës…nuk ma mer mendja që rregullohet pa mbaru votimet”, thotë një banor tjetër, për Tv Shenja.
Por, ka edhe prej tyre që shprehen se kjo gjendje e rrugës nuk ju pengon aspak përshkak se është duke u punuar në dobi të tyre dhe besojnë që përfundimi i saj do të ndodh shumë shpejtë, sepse është duke u punuar intensivisht.
“Na pengojnë por është për të mirën tonë. Ne do t’i përballojmë gjitha pasojat që i shkakton vendosja e kanalizimit. Fëmijët kanë pak pengesa, por edhe këto e dinë se është për të ardhmen e tyre. Është duke u punuar intenzivisht, që të mbarohet sa më shpejtë”, thotë njëri nga banorët e anketuar.
Mirëpo, se sa intensivisht është duke u punuar dhe kur do të përfundojnë këto punime, mbetet të shihet./Telegrafi/